Gjeneral Major David Tabor flet për arsyet se pse Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën përzgjodhi Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës së Forcave Operacionale Speciale.
Tabor tregoi se pasi u shqyrtuan shumë vende, ajo çfarë u vu re fillimisht ishte pozicioni gjeografik që ka Shqipëria, kjo sipas tij, përforcuar edhe nga partneriteti i shkëlqyer që SHBA-ja ka pasur me forcat shqiptare të operacioneve speciale, duke shtuar këtu edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar.
Sipas tij, kjo do të jetë një bazë ushtarake relativisht e vogël, afërsisht 10 deri në 15 vetë, që priten të vendosen në Shqipëri në ndihmë të angazhimit që SHBA-ja ka jo vetëm këtu, por edhe në vende si Kosova, Bosnja, Serbia, Kroacia dhe në të gjithë rajonin.
Gjeneral Major David Tabor, faleminderit që gjetët mundësinë dhe kohën për këtë intervistë për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve që janë ngritur pas vendimit tuaj.
Gjeneral Major David Tabor: Më lejo t’ju them, Thimi, se ju jam shumë mirënjohës që po më jepni mundësinë të flas me ju dhe t’i komunikoj popullit shqiptar dhe kujtdo se cilat janë qëllimet dhe planet tona. Më lejoni ta nis duke thënë se asgjë nga këto nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar. Jemi shumë mirënjohës për këtë mundësi që do të kemi për vitet në vijim. Të falënderoj edhe një herë për kohën dhe pres me kënaqësi pyetjet. Shpresoj, gjithashtu, edhe të takohemi një ditë, shumë shpejt besoj.
Dhe pyetja e parë është pse Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën zgjodhi Shqipërinë për të ngritur një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale?
Gjeneral Tabor: Po. E di se kjo është pyetje e rëndësishme për këdo. Mendoj se është e rëndësishme të theksoj se kjo është një komandë rajonale që do të shërbejë për angazhimin e forcave tona me shumë aleatë dhe partnerë në të gjithë rajonin. Sinqerisht, pasi shqyrtuam shumë vende, vumë re pozicionin qendror që ka Shqipëria, përforcuar edhe nga partneriteti i shkëlqyer që kemi pasur me forcat shqiptare të operacioneve speciale, duke shtuar këtu edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar për ta bërë këtë gjë realitet.
Cili do të jetë roli i kësaj njësie?
Gjeneral Tabor: Siç e përmenda, kjo do të jetë një komandë në mbështetje të operimit dhe kontrollit të forcave tona të angazhuara në të gjithë rajonin. Do të jetë një bazë relativisht e vogël, afërsisht 10 deri në 15 vetë, që do të vendosen në Shqipëri mbi bazë rotacioni në ndihmë të angazhimit që ne kemi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende si Kosova, Bosnja, Serbia, Kroacia dhe në të gjithë rajonin. Duke qenë më të pranishëm, do të mund të ndërtojmë një marrëdhënie më solide në të gjithë këtë zonë.
A është ky mision afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë?
Gjeneral Tabor: Thimi, sa na përket neve, ky është një proces që nuk e ka një datë mbarimi. Ne mendojmë se po e nisim si një proces afatgjatë dhe mbi këtë bazë do të punojmë bashkë me aleatët tanë të mrekullueshëm aty në Shqipëri. Siç e theksova, kjo ka ardhur si kërkesë e qeverisë shqiptare. Pra, për sa kohë shqiptarët janë të lumtur me praninë tonë aty, po aq të lumtur do jemi edhe ne, sigurisht, që të qëndrojmë.
A ishte vendimi për instalimin e një shtabi të avancuar në Shqipëri në kuadrin e konkurrencës më të gjerë të fuqive në rajon? Rusia ka tashmë një bazë të avancuar në Serbinë Jugore për shembull.
Gjeneral Tabor: Po, e dimë se çfarë po bëjnë shumë vende, por nuk është kjo ajo që na motivon. Ajo çka na motivon vërtet është stërvitja bashkë me aleatët dhe me partnerët tanë për të krijuar kapacitete edhe më të mëdha. Se çfarë bëjnë vendet e tjera, nuk është se është edhe aq e rëndësishme për ne. Ajo çka u intereson aleatëve tanë po, ajo ka shumë rëndësi për ne. Kështu që ne do të vazhdojmë t’i forcojmë këto marrëdhënie kurdo dhe kudo që të mundemi.
Çfarë lloj ndërveprimi do të keni me Forcat e Armatosura Shqiptare?
Gjeneral Tabor: Jam shumë i entuziazmuar për mundësinë që kemi për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi me forcat e armatosura shqiptare. Siç e dini, Shqipëria ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në angazhime të mëparshme, si në Irak, ashtu edhe në Afganistan. Përveç kësaj, kemi pasur edhe një sërë stërvitjesh me forcat shqiptare të operacioneve speciale. Kështu që e presim me kënaqësi mundësinë të stërvitemi dhe të mësojmë nga njëri-tjetri dhe që të ndërtojmë kapacitetet e nevojshme që Shqipëria të vazhdojë të jetë kontribuuese për stabilitetin e rajonit e madje edhe në NATO e më gjerë.
Cilat janë implikimet e sigurisë si për Shqipërinë ashtu edhe për territorin e saj?
Gjeneral Tabor: Siç e thashë edhe më parë, Thimi, kjo është një mundësi për të forcuar marrëdhëniet tona dhe unë shpresoj se kështu rritet edhe ndjenja e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin, sensi i besimit që kanë të tjerët në këtë rajon e madje edhe në NATO dhe më gjerë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se secili nga është shumë më i fortë nëse jemi të gjithë bashkë sesa secili veç e veç.
Në kuadrin ligjor, cilat janë marrëveshjet ligjore ndërmjet qeverisë shqiptare dhe komandës së forcave speciale për kryerjen e operacioneve brenda dhe jashtë territorit shqiptar?
Gjeneral Tabor: Pyetje interesante, Thimi, që e ka përgjigjen të thjeshtë. Nuk ka ndryshuar asgjë. Ne do të vazhdojmë të operojmë përmes pranisë sonë atje nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar, duke punuar përmes Ambasadës sonë dhe Zyrës sonë atje për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes. Kështu që për ne është shumë e thjeshtë. Presim me kënaqësi të jemi atje.
A do të ndihmoni Forcat Speciale shqiptare? P.sh. për sa i përket pajisjeve speciale dhe ndonjë mjeti tjetër që u mundëson atyre të rrisin aftësitë e tyre operacionale?
Gjeneral Tabor: Mundësia tashmë ekziston dhe ne jemi të gatshëm që ta shfrytëzojmë afërsinë tonë me këtë rast për të përforcuar kontaktet me forcat speciale shqiptare. Siç e thashë, do të punojmë përmes Ambasadës Amerikane, Zyrës për Bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes për të vlerësuar dhe për të përmirësuar vërtet kapacitetet ne bazë të vullnetit të ushtrisë shqiptare në përgjithësi dhe forcave të operacioneve speciale në veçanti./Tch
Pse “rrugët” e aeroplanëve janë të lakuara dhe jo të drejta?
Balluku: Tuneli i Murrizit drejt përfundimit, ndërtojmë rrug...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...
FSK përfundon ushtrimin fushor “Iron Bravo 2024”
Yllka Kuqi feston ditëlindjen, do t’iu habisë mosha e saj
Rusia dëbon një diplomat britanik