Google ADS

Rrëfimi rrënqethës i ish-ushtarit të UÇK-së, nga vrasja e familjarëve deri tek mungesa e armëve në front

16:03 | 30 Janar 2022
Përparim Bublaku

“Babai është i vrarë, mixha është i vrarë në Rakinicë, e kanë qit prej shtëpisë e kanë vra, djali i mixhës po ashtu është vrarë në Klinë. Gruaja e mixhës është e godite me një kondaktë të automatit pas kokës kur kanë hyrë në prill të ‘99-ës, në Rakinicë, edhe të nesërmen e ka gjet vdekjen.”

I’u vranë më të dashurit, i’u përndjek familja, por kjo nuk e ndaloi Murtez Dajakun nga fshati Rakinicë t’i bashkohet idealit për lirinë e Kosovës, shkruan arbresh.info.

Rrëfimi i Dajakut se si e mori vesh për masakrën e bërë në Izbicë dhe sesi e motra iu largua nga anëtarët e tjerë të familjes, e madje frika se mund t’i ishin vrarë fëmijët, bashkëshortja dhe nëna e tij, janë të ngulitura akoma në mendjen e tij, shkruan arbresh.info.

“Me rastin e dytë më erdhi lajmi që është bërë një masakër në Izbicë dhe një motër ish nda prej kolone edhe kish shku për Shqipëri për Tushinë. Motra jem nëntë vjeç thanë që është në Tushinë e kamë shku atje e kamë marr motrën e kam taku me dy çika të mixhës që janë shku me të edhe motra thotë nuk na ka pshtu kurrkush u vra nana krejt. Nuk kam mund me ditë për dy javë ditë se çka ka ndodhë, e kom pas gruan me dy fëmijët e nana u kanë atu ku ish pas plagosë djali po ashtu po më lehtë se në prehen të nënës janë ra tri granata”, tha Dajaku.

E se kjo familje i dha shumë gjenerata Kosovës e tregon me admirim vetë Dajaku.

“Familja jonë rrjedhë nga një familje gjithmonë si luftëtare, babagjyshi është vra në luftë të Shaban Polluzhës, i ka lënë tetë djem. Gjatë kohës së luftës së Shaban Polluzhës babagjyshi ka pas dy djem me vete e në atë kohë babi im ka mbetur jetim katër vite, por edhe djali im nuk e mban mend babagjyshin e tij pasi që babai na është vra 28 të 99-ës”, rrëfeu Dajaku.

Me lajmin se familja e heroit Adem Jashari ka rënë, Dajaku mori vendimin më të madh të jetës.

“Gjatë luftës unë kam punua në kafe në Istog, në Skenderaj, pesë vite nëpër kafe por me ndërtimtari jam marr më shumë por përshtypja për me iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me rënien e familjes së Adem Jasharit i kemi ndalë të gjitha punët çdo aktivitet të cilin e kemi pas vetëm kemi shiku se si me ju bashkëngjit UCK-së, por na mungojshin armët”, tha Dajaku.

Me tu bashkuar UÇK-së, mungesa e parë u ndje.

Armët nuk ishin të mjaftueshme andaj u ndanë në grupe dhe morën rrugën për në Shqipëri.

Një grup i siguruan armët, por kjo nuk ndodhi edhe me grupin e Dajakut.

“Një grup prej pesë vetave shkun në Shqipëri u armatosen dhe erdhën kurse në grupin e dytë kamë qenë unë dhe të tjerë të fshatit tonë. Kemi shku në kamë tek Lahi Ibrahimi në Jabllanicë, Gllogjan na kanë përcjell faleminderit prej tyre na kanë dhënë bukë. Kështu kemi shku në Shqipëri pa asnjë problem. U armatosem pa uniforma, kemi heq për ushqim por si të rijnë nuk ish aq problem”, rrëfeu Dajaku.

Grupi më i madh ndonjëherë ai i Drenicës, kaloi kufirin më 16 korrik 1998, më armë të marra nga Shqipëria.

Por, u befasuan nga një pritë.

“Me 16 korrik të 98-ës, kemi hyrë në kufi të Kosovës. Ishim grupi më i madh që ka ekzistua e që e ka kalu kufirin ka qenë ky i joni i Drenicës”
“Rreth orës 2 e 15 minuta kemi rënë në prit, atu kanë gju shkit me mitraloz kanë fillua në të dyja anët gjuajtjeje, mandej ata kanë leshu raketa ndriçuese për me na pa se ku jemi. Bekim Biringjiki shumë i ashpër e ka tregu vetën shumë trim edhe Bahri Malushahmeti, e kanë gjuajt raketën ndriçuese për me e ndalë edhe ajo raketa u ndalë atëherë na u mundësua me ba lëvizje”, tha Dajaku.

Nga granatimi u vranë 30 pjesëtarë të UÇK-së.
“Gjatë granatimit e kemi pësua shumë keq se i kemi humbur diku 30 shok na kanë rënë dëshmor, një nderë ta edhe Bashkim Kerolli i Polacit. Edhe jemi tërheq më shumë se gjysma në drejtim të Shqipërisë, disa shok gjuajtën me mitraloz si na kan pa shkit na kanë gju me minahedhës dhe unë kam mbet pa vetëdije. Diku vetëdija më ka dalë tek mas orës tre ku më kanë ndihmua ata shokët e të cilët kanë qenë të plagosur në këmbë rëndë”, tha Dajaku.
Me tu tërhequr një grup prej gjashtë personave u rikthye prapë për ti sulmuar serbët.

“Kemi vazhdu rrugën më lart jemi taku me Ismet Durmishin dhe me Bahri Malushahmetin. Para se mu tërheq prej atu kemi shiku mos ka mbet dikush edhe pse nuk isha në gjendje me i ndihmua po sa me marr armatimin disi me menxi. U bë ora shtatë e mëngjesit te zona neutrale Abeja e Bedri Shala ishin shumë nervoz dhe shumë të mërzitur pse grupi i Drenicës me ra në pritë. I thash nuk muj me të thanë që ka mbet dikush nuk e di nuk kam parë. Abeja i ka marr nja pesë vetë me armët më të rënda edhe kanë hy kanë ba luftë na kemi qenë brenda zonës neutrale kemi pushu kanë ba luftë dikur deri afër orës dhjetë më pas janë kthy ka ardh abeja. Abes ju kish dëmtua antiplumi i kish pas met krejt përmasë si lloj zavjaqi që thonë, këta të pestit Drenicës ish plagos ma rëndë. Një komandant e dy ushtarë i qova tha në ajër”, tha Dajaku.

Me të dal në zonë neutrale ata u ndaluan edhe për 2 orë, siç thoshte Dajaku, Abeja kishe vërejtur diçka, mos ndoshta edhe ndonjë pritë.
“Kur kemi ardh në zonën neutrale Abeja ka dyshua diçka edhe na tha s’bon me dal na ka ndal edhe 24 orë, ka ditë diçka. Po e kuptuam pse. Pas 24 orëve vazhduam përsëri. Gjatë gjithë natës kemi ec. Pak para mëngjesit po vjen një pizgaver tha abeja hini nërë rrugë e murr një mitraloz abeja edhe dul në prit. PO shohim një komandantë i serbeve edhe nja dy tre ushtarë”, tha Dajaku.

E kështu ata arrin në Junik e më pas në Gllogjan, ku edhe transportohen me kamionë deri në vendin ku edhe janë mjekuar nga plagët e marra.
“Kemi vazhdua kemi mbërri në Junik, po prej atu kemi shku bashkë në Gllogjan, kur kemi mbërri atje Ramush Haradinaj kah tre ora të mëngjesit i gjeti dy tre kamionë edhe menjëherë na ka çu te Lahi Ibrahimi në Jabllanicë prej atu na kanë gjet tjerë kamionë na kanë pru deri në Malishevë aty tjerë kamionë. Me 25 korrik nga mbrëmja kemi mbërri në Likovcë atu menjëherë më kanë marr më kanë dërgua te mjeku”, tha Dajaku.
Me tu shëruar Dajaku u zgjodh komandant skuadre.

“Më pas kur jam mjeku jam zgjedhur si Komandant skuadre, e në këtë rrugëtim kemi përjetu shumë gjera një nga gjërat më të rënda ka qenë humbja e shokëve”, tha Dajaku.

Me sy të ngulur thellë në tok e me një mesazh domethënës Dajaku, përfundon rrëfimin e tij dhe përjetimet e tij që me të parë në fytyrën e tij do mund t’i shohësh qartë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme