Veliu e akuzon Abdixhikun se po e çon drejt shkatërrimit degën e Podujevës

12:03 | 29 Janar 2022
S D

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, përmes një shkrimi në ‘facebook’ ka njoftuar se dega e LDK-së në Podujevë bashkë me kreun e partisë, Lumir Abdhixhiku, kanë thirrë mbrëmë një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës së Podujevës.

Veliu thotë se një kuvend i tillë është kundër statutit të LDK’së dhe i paligjshëm, prandaj potencon se nuk do të marrë pjesë.

“Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë”, ka shkruar Veliu.

Agim Veliu thotë se një veprim i tillë nga Abixhiku dhe anëtarët e tjerë të degës së Podujevës do të çojë në shkatërrimin e atij që Veliu e quan “bastioni i fundit i LDK-së”.

Reagimi i plotë:

Të dashur veprimtarë, anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës.

Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë.

Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë.

Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme