Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka shtruar disa pyetje për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti pas deklarimeve në Kuvend se “katër komunat e veriut janë jashtë sistemit aktual rregullues të Kosovës”.
“Qeveria Kurti, konfirmon hapur se katër komunat veriore të Kosovës nuk takojnë brenda sistemit administrativ të territorit të Kosovës. Këtë deklaratë antikushtetuese se: “katër komunat e veriut janë jashtë sistemit aktual rregullues të Kosovës”, e bëri ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të LVV, në seancën e Kuvendit të datës 26.01.2022”, ka thënë Berisha në një komunikatë për media.
Ai me këtë rast ka shtruar disa pyetje drejtuar Qeverisë së Kosovës.
“Unë e pyes qeverinë se në cilin bllok rregullues është Kosova? A nuk është në një bllok rregullues me Shqipërinë që nga viti 2020? A nuk është operatori i transmisionit i pavarur? A nuk është shkelje e kushtetuese mos ushtrimi i sovranitetit administrativ në tërë territorin kushtetues të Kosovës?”, ka thënë Hyseni.
Ai ka theksuar se për një vit qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje po zbardhet doktrina politike e Qeverisë Kurti, për dështimin e shtetit të Kosovës, me politikat e izolimit në raport me BE-në dhe politikat refuzuese ndaj objektivave gjeopolitike dhe gjeostrategjike për rajonin me theks Kosovën, të cilat janë vendosur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Ndryshe, Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ka thënë se katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e këtij institucioni për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Ai tha se kjo është bërë me faktin se ZRRE-ja është në proces gjyqësor me Avokatin e Popullit, i cili e ka paditur këtë institucion për shkak të pagesave që qytetarët e tjerë të Kosovës kanë bërë për rrymën e shpenzuar në veri.