Google ADS

Franca thotë se Rusia është “gati për luftë”

00:08 | 27 Janar 2022
Trina Galanxhi

Në një takim në Paris për të ringjallur formatin e Normandisë, Rusia ka premtuar të riangazhohet në proces, tha një burim pranë zyrës së presidentit francez, në kontekstin e tensioneve mbi Ukrainën.

Zyrtari francez ka thënë për CNN se ky është një sinjal dhe një hap i mirë drejt uljes së tensioneve, transmeton portal arbresh.info

Ai shtoi se ka ende dallime të mëdha në pikëpamje, por se shpreson të përpiqet t’i zgjidhë ato në një takim në Berlin pas dy javësh.

Zyrtari tha se ishte hera e parë në më shumë se dy vjet që katër shtete anëtare të formatit të Normandisë kishin rënë dakord për ndonjë gjë dhe theksoi se një marrëveshje për një armëpushim të pakushtëzuar ishte vendimtare në kontekstin aktual.

“Ky takim ishte një provë. Unë mendoj se sot kemi parë që rusët janë të gatshëm për destabilizim, gjë që do të shohim nëse do të konfirmohet brenda dy javësh”, tha ai.

Kryenegociatori rus, Dmitry Kozak, u tha gazetarëve në Moskë se këshilltarët politikë nga Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania kishin rënë dakord që një armëpushim në Ukrainën lindore duhet të respektohet.

Kozak tha gjithashtu se duhen zgjidhur shumë çështje të tjera, por gjithashtu shprehu shpresën se pikëpamjet mund të afrohen. Ai konfirmoi se një takim i ri i katër vendeve do të mbahet në Berlin pas dy javësh.

Rusia ka vendosur mijëra trupa pranë kufirit me Ukrainën, por thotë se nuk po përgatit një pushtim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme