Danimarka planifikon të heqë kufizimet e saj lidhur me COVID-19 më 1 shkurt megjithë infeksionet rekorde, pasi shkalla e lartë e saj e vaksinimit konsiderohet e mjaftueshme kundër variantit më të butë Omicron, tha të mërkurën Ministria e Shëndetësisë.
Nëse një komision parlamentar miraton propozimin e qeverisë më vonë të mërkurën(26 janar), Danimarka do të bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që heq kufizimet pavarësisht nga vala e infeksioneve me Omicron që përfshiu kontinentin.
“Dëshiroj që COVID-19 të mos kategorizohet më si një sëmundje e rrezikshme për shoqërinë që nga 1 shkurti”, shkroi Ministri i Shëndetësisë Magnus Heunicke në një letër drejtuar ligjvënësve.
Kjo do të çonte në heqjen de fakto të të gjitha kufizimeve të brendshme, duke përfshirë përdorimin e një pasaporte të vaksinimit, mbajtjen e maskave dhe mbylljet e hershme për baret dhe restorantet.
Megjithatë, Danimarka do të mbajë disa masa kufitare për katër javë të tjera, duke përfshirë teste dhe/ose karantinë në varësi të vendit të origjinës së udhëtarëve.
Vendi skandinav hoqi më parë të gjitha kufizimet më 10 shtator, përpara se të rivendoste përdorimin e një pasaporte për COVID-19 në fillim të nëntorit dhe më vonë të vendoste kufizime të reja.
Në Suedinë fqinje, autoritetet njoftuan se kufizimet aktuale do të mbeten në fuqi për të paktën dy javë të tjera.
Sidoqoftë, Ministrja e Shëndetësisë, Lena Hallengren tha në një konferencë për shtyp se “shumica e kufizimeve” mund të hiqen më 9 shkurt nëse “situata është stabilizuar atëherë”.
Përballë një niveli më të ulët të shtrimeve në spital se në valët e mëparshme, disa vende evropiane, si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë njoftuar heqjen ose uljen e konsiderueshme të kufizimeve të tyre ditët e fundit, pavarësisht rasteve rekord apo shumë të larta.
Në Angli, i vetmi kufizim ligjor në fuqi nga e enjtja do të jetë për personat që rezultojnë pozitivë të izolohen.
Në Danimarkë, autoritetet shëndetësore “rekomandojnë” njerëzit që rezultojnë pozitivë të izolohen për katër ditë.
Vendi me 5.8 milionë banorë regjistroi 46,000 raste të reja të martën, një nivel shumë i lartë, “por vlerësimi ynë aktual është se epidemia së shpejti do të arrijë kulmin”, shkroi Heunicke në Twitter.
“Ne kemi kontroll të mirë mbi normat e shtrimit në spital, falë një kombinimi prej 3.5 milionë danezëve të vaksinuar dhe natyrës më pak të rëndë të Omicron”, tha ai.
Më shumë se 60 përqind e danezëve kanë marrë një dozë të tretë, një muaj përpara planit të autoriteteve shëndetësore.
Ndërsa numri i personave të shtruar në spital me COVID-19 vazhdon të rritet dhe tani ka kaluar 900, autoritetet shëndetësore thanë se situata ishte nën kontroll.
Në fillim të janarit, numri i shtrimeve në spital ishte rritur me 16 për qind, megjithëse rastet u rritën me 35 për qind.
Për më tepër, numri i personave në kujdesin intensiv ka rënë, nga 74 në fillim të janarit në 44 të mërkurën.
Autoriteti Shëndetësor danez tha se 35 për qind e atyre që ishin në spital me COVID-19 ishin në të vërtetë në spital për një diagnozë tjetër.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...