Mbretëria e Bashkuar e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se po bën komplot që të instalojë një figurë pro-Moskës që ta udhëheqë Qeverinë e Ukrainës.
Zyra e Jashtme britanike tha se kandidati potencial i Kremlinit është ish-deputeti ukrainas, Yevhen Murayev.
Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, por mohon se po planifikon që ta sulmojë këtë shtet.
Ministrat britanikë kanë paralajmëruar Qeverinë ruse se do të përballet me pasoja serioze në rast të pushtimit të Ukrainës.
Në deklaratën e lëshuar, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se “informacionet që po dalin sot hedhin dritë mbi aktivitetet ruse për të shkatërruar Ukrainën dhe janë një pasqyrë se si mendon Kremlini”.
“Rusia duhet të shtensionojë situatën, t’i japë fund fushatës së agresionit dhe dezinformatave dhe të zgjedhë rrugën e diplomacisë. Siç ka thënë vazhdimisht Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj, çdo pushtim rus në Ukrainë do të ishte një gabim i madh strategjik që do të kishte pasoja të rënda”, tha ajo.
Por, Ministrja e Jashtme ruse ka hedhur poshtë pretendimet e Britanisë se po planifikon të të instalojë në lider pro-rus në Ukrainë, teksa presidenti Vladimir Putin po shqyrton nëse duhet të japë urdhrin që ta pushtojë këtë shtet fqinj.
“Dezinformatat që po qarkullojnë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar janë një tjetër tregues se shtetet anëtare të NATO-s, të udhëhequra nga shtetet anglo-saksone po i përshkallëzojnë tensionet në lidhje me Ukrainën”, tha Ministrja e Jashtme ruse përmes një postimi në Twitter.
“Ne i bëjmë thirrje Zyrës së Jashtme që të ndalë përhapjen e këtyre marrëzive”, tha ministria.
Në deklaratën e Zyrës së Jashtme britanike u tha se Qeveria britanike ka informacione se shërbimet e inteligjencës ruse mbajnë lidhje me disa ish-politikanë ukrainas.
Në mesin e tyre u përmendën edhe Serhiy Arbuzov, që ka qenë zëvendëskryeministri i parë i Ukrainës në periudhën 2012-2014 dhe ushtrues detyre i kryeministrit të Ukrainës më 2014. Në këtë listë u përfshi edhe Andriy Kluyev, që ishte zëvendëskryeministër i parë më 2010-2012 dhe shef i stafit të ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovich; Volodymyr Sivkovich, ish-kreu i Këshillit ukrainas të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare dhe Mykola Azarov, që ka shërbyer në postin e kryeministrit të Ukrainës në periudhën 2010-2014.
Sekretarja e Jashtme britanike, Truss në deklaratën e lëshuar, përsëriti mbështetjen për “sovranitetin dhe integritetin territorial, në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht” të Ukrainës, “përfshirë edhe Krimenë”.
“Ukraina është shtet i pavarur dhe sovran”, tha ajo.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thanë se i kanë parë “me shqetësim të thellë” pretendimet e Mbretërisë së Bashkuar.
“Ky lloj komploti është thellësisht shqetësues. Populli ukrainas ka të drejtën sovrane që të përcaktojë vetë të ardhmen e tij dhe ne qëndrojmë me partnerët tanë në Ukrainë të zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha përmes një deklarate, Emily Horne, zëdhënëse e Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së.
Deklarata e Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar vjen pasi mediat evropiane dhe ruse raportuan se Londra dhe Moska janë pajtuar që të mbajnë bisedime të rralla të nivelit të lartë, për të diskutuar për krizën përgjatë kufirit të Rusisë dhe Ukrainës.
Më 22 janar, agjencia shtetërore e lajmeve ruse, TASS raportoi se kryediplomatja britanike Truss, do ta vizitojë Moskën në muajin shkurt, për t’u takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
TASS citoi një burim të paidentifikuar në Ministrinë e Jashtme të ketë thënë se “ministrja e Jashtme britanike ka kërkuar për një mundësi për të udhëtuar në Moskë” dhe se vizita i është miratuar.
Vizita e propozuar e Truss do të ishte vizita e parë e një sekretari të Jashtëm britanik në Moskë që prej dhjetorit të vitit 2017.
Ndërkaq, agjencia AFP më 22 janar, citoi një “burim të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar” të ketë thënë se sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace ka ftuar homologun e tij rus, Sergei Shoigu që të bisedojë lidhur me tensionet në Ukrainë.
“Duke pasur parasysh se bisedimet e fundit të mbrojtjes mes dy shteteve tona kanë ndodhur në Londër më 2013, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka ofruar që të takohet në Moskë”, citohet të ketë thënë ky burim.
Ftesat për vizita të tilla vijnë në kohën e rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimin lidhur me grumbullimin ushtarak rus, por edhe të kërkesave të Moskës që po kërkon frenimin e aktivitetit të aleancës ushtarake, NATO në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik./REL
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...