Google ADS

Infektologu Ramadani jep lajmin e mirë sa i përket Covid-19

06:56 | 23 Janar 2022
Trina Galanxhi

Po bëhen gati dy vjet që kur Kosova, si gjithë bota, po përballet me pandeminë COVID-19. Masat për luftimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje kanë ndryshuar disa herë, teksa së fundmi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i shtrëngojë më shumë ato.

Pavarësisht se masa anti-COVID pati edhe më herët, ato nuk janë respektuar siç duhej, çka po shihet edhe si shkas kryesor për rritjen alarmante të rasteve.

“Coronavirusi nuk do të zhduket, por ky vit do të jetë fillimi i fundit të pandemisë”, ka deklaruar infektologu Hamdi Ramadani.

Ndërkaq duke folur për masat e marra për luftimin e përhapjes së coronavirusit, Ramadani tha se duhet të merret me shumë seriozitet respektimi i tyre, jo vetëm nga qytetarët por edhe nga organet përgjegjëse.

Sipas tij, masa ka pasur edhe para se të rriteshin rastet, por që janë neglizhuar dhe prandaj situata është rënduar dukshëm.

“Duke marrë parasysh që interesimi i qytetarëve ishte relativisht i ulët për të mos thënë fare, pasi masat nuk u respektuan fare as deri më tani, nuk ishin të përgjegjshëm për shëndetin e tyre, të familjeve të tyre. Por, edhe vet institucionet duhet që masat e marra nga Qeveria e Kosovës, të kujdesen që të zbatohen me përpikëri, këto u neglizhuan dhe ka qenë plotësisht e pritshme të kemi situatë të rënduar, një valë të re kjo që është Omicron, që është dominonte, me mbi 90 për qind”, tha Ramadani.

Megjithatë, Ramadani tha se masat që janë miratuar janë sensibilizuese, por që nuk pritet që situata të përmirësohet shpejt.

“Më serioze duhet të jetë pjesa që të respektohen me përpikëri. Kjo situatë nuk do të kalojë shpejt, për shembull për një javë apo dy, por ideja është që të mund të zvogëlohen rastet dhe kjo shkallë kaq e lartë e infektimit”, theksoi ai.

Sipas tij, është fat i mirë që varianti Omicron nuk po paraqitet në forma të rënda, por kjo nuk do të thotë se kjo nuk do të ndryshojë pas disa jave.

“E mira është që tash për tash varianti Omicron nuk po paraqet tablo klinike të rëndë, ose me ndërlikime të mëdha serioze. Por, kjo nuk do të thotë që në javët e ardhshme nuk do të shfaqet në forma më të rënda e agresive”, tha Ramadani.

Sipas tij, asnjë grupmoshë nuk është e mbrojtur nga varianti Omicron i coronavirusit, por janë të mbrojtur ata që kanë marrë tri doza të vaksinës anti-COVID.

“Mbi të gjitha përgjegjësia e qytetarëve, e popullit është alfa dhe omega, respektimi i distancës, higjiena, mbajtja e maskës e distancës, që të ndalet kjo valë, pasi po përfshihen të gjitha moshat, nuk është askush i mbrojtur. I vetmi person që është i mbrojtur është ai që i ka marrë tri doza të vaksinës anti-COVID”, tha ai.

Ramadani u ka bërë thirrje edhe institucioneve përgjegjëse që të kujdesen që masat të respektohen.

“Masat që u rishikuan kanë pak një lëvizje nga ato të mëparshmet, si ora policore dhe orari i punës së gastronomisë. Por, krejt kjo do të ndikojnë vetëm nëse respektohen masat e marra që janë në fuqi, kjo edhe nga qytetarët, por edhe institucionet që duhet të kujdesen që ato masa të respektohen në përpikëri”, tha Ramadani.

Tutje, ai shtoi se nuk duhet assesi të lejohen grumbullimet nëpër qendra tregtare, ose takime pa maska, distancë e masa tjera.

“Metoda punës në distancë, qoftë në shkolla apo fakultete, apo edhe në punë, mendoj që do ta ketë një lloj efekti që ta zbus situatën e rëndë, sepse është shqetësuese tash situata”, tha ai.

Ramadani theksoi se vetëm doza e tretë e vaksinës është e vetmja rrugë për ta luftuar variantin Omicron.

“Tri doza të vaksinës është vërtetuar se e neutralizojnë variantin Omicron, i cili ka paraqitur rezistencë në dy dozat e para të vaksinës anti-COVID”, theksoi Ramadani.

Kosova sot ka shënuar rekord të rasteve me coronavirus, ku në 24 orët e fundit janë konfirmuar 3 mijë e 206 raste të reja.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 11.883 testime, 3.206 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Megjithëse ditëve të fundit ka një rritje alarmante të rasteve me COVID-19 në Kosovë, ku dominues është varianti Omicron, nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale situata vazhdon të jetë e qetë. Njëra ndër kategoritë që mund të konsiderohet si e rrezikuar më shumë nga ky virus janë edhe gratë shtatzëna dhe lehonat.

Në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike të QKUK janë të shtrira 18 gra me COVID-19.

Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismaili në një prononcim ka thënë se të gjitha pacientet janë në gjendje të mirë./bs/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme