Vrasja makabre e Marigona Osmanit/ Gjykata vazhdon paraburgimin edhe për dy muaj ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut

17:29 | 21 Janar 2022
S D

Gjykata Themelore e Ferizajt u ka vazhduar masën paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarve për vrasjen Marigona Osmanit.

Dy të dyshuarit për vrasjen e 18 vjecares nga Ferizaj, ish- i dashuri i saj, Dardan Krivaqa dhe shoku i tij Arbër Sejdiu do mbesin në paraburgim deri në fund të muajit mars të këtij viti.

Lajmin për arbresh.info e ka konfirmuar Gentiana Hoxha nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

“Po, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria Themelore e Ferizajt me 17 janar automatikisht u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj dy të dyshuarve D.K. dhe A.S”, tha Hoxha për arbresh.info.

Prokuroria Themelore në Ferizaj i bëri të ditur arbresh.info se më 17 janar kishte bërë kërkesë në Gjykatën Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj dy të dyshurve për vrasje të rëndë.

“Referuar kërkesës suaj me pyetje, ju njoftojmë se lidhur me rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 17 Janar 2022, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve D.K., dhe A.S”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Tutje nga Prokuroria po ashtu ka konfirmuar se ende nuk është ngritur aktakuza ndaj dy të dyshuarve për rastin e Marigona Osmanit.

“Ndërsa, lidhur me këtë rast, ende nuk është ngritur aktakuza dhe në momentin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të njoftoj me kohë opinionin publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu, dyshohen se më 22 gusht të vitit të kaluar, kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerën, Marigona Osmani.

Dardan Krivaqa dyshohet se më 22 gusht 2021, në banesën e tij, me dashje dhe në mënyrë mizore, kishte ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj të ndjerës, e cila më pas kishte ndërruar jetë. I dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, gjatë gjithë kohës kishte qenë i pranishëm dhe se kishte ushtruar dhunë fizike e psikike mbi të ndjerën.

Ata dyshohet se 18 vjeçaren e kishin dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit të Ferizajt, për çka tashmë po dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Krivaqa, ishte arratisur, mirëpo dy ditë më vonë ishte arrestuar në një fshat në Ferizaj ./arbresh.info/Ida Dedushi/

Të ngjashme