Google ADS

Dyshohet për korrupsion, gjykata ia cakton një muaj arrest shtëpiak u.d. të drejtorit të Spitalit në Ferizaj

18:58 | 16 Janar 2022
A. B.

Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji ushtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, tashmë të suspenduar, Halit Gërbeshi.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri H.G. nga muaji shtator 2021 deri në muajin dhjetor 2021 në Ferizaj, në cilësinë e personit zyrtar – Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete”.

“….në atë mënyrë që në një pompë të derivateve në Ferizaj, disa herë ka furnizuar me derivate veturën e tij private, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Në fund, bëhet e ditur se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Të ngjashme