Mustafa: Ju garantoj se asnjë shqiptar nuk do të dalë për të votuar në referendumin serb

06:56 | 15 Janar 2022
Trina Galanxhi

Partia Demokratike Shqiptare në Preshevë ka kërkuar që të bojkotohet referendumi i Serbisë nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Për këtë, në Edicionin Special të Klan Kosovës, foli kryetari i kësaj partie, njëherësh zëvendëskryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

“Ne kemi dalë me deklaratë dhe kemi ftuar qytetarët që të mos dalin, por edhe pa i ftuar, ju garantoj se asnjë shqiptarë nuk do të kishte dalë”, tha Mustafa.

Mustafa tha se ky referendum ka qëllim rritjen e censurës në gjyqësorin e Serbisë.

“Nuk përmirëson aspak situatën ekonomike e politike të shqiptarëve”, u shpreh ai.

“Serbia para bashkësisë ndërkombëtare luan rolin e viktimës dhe më këtë autoritetet në Beograd rrahin gjoksin se ne jemi prezentë në Kosovë”.

Sa i përket moslejimit të krerëve kosovarë për mosmbajtjen e referendumit në Kosovë, Mustafa e cilësoi të duhur.

“Është qëndrim i duhur dhe njëkohësisht i rëndë për shkak të një invazioni që kanë marrë ambasadorët e shtetit të QUINT-it, por një gjë duhet kujtuar se ata janë ambasadorë, asnjë shtet i tyre, apo qeveritë, nuk janë mbledhur për të thënë se referendumi duhet të mbahet në Kosovë. Por serbët dinë të qahen para tyre”, shtoi Mustafa.

“Kosova o duhet një ditë të tregojë shtetësinë dhe zotësinë që mund të menaxhojë shtetin e saj, ose ta ndajë me Serbinë, sepse në këtë situatë, Serbia është prezente në Kosovë.”

“Kjo është Republika e Kosovës dhe ky është fundi”.

“O duhet të jetë një Kosovë e lirë, brenda së cilës futet Presheva me Bujanocin, ose të gjendet një zgjidhje, por zgjidhje le të ofrojnë Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme