Kjo është bërë e ditur përmes shkresës së publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Sipas ZPS-së, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi më parë dyshimin e bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, ekzistencën e rrezikut të arratisjes, arsyet e artikulueshme për të besuar se i akuzuari do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës penale dhe do të përsërisë ose tentojë të përsërisë veprat penale.
Tutje, në shkresë thuhet se gjyqtari ka konstatuar më parë që kushtet e lirimit të propozuara nga i akuzuari zbusin në mënyrë të pamjaftueshme rreziqet e Nenit 41 dhe se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është proporcional.
Sipas ZPS-së, asnjë rrethanë nuk ka ndërhyrë që nga vendimi për rishikimin e paraburgimit që mund të ndryshojë këto gjetje, të cilat vazhdojnë të jenë të vërteta në të gjitha aspektet.
“Në fakt, rreziqet e nenit 41(6)(b) janë rritur me avancimin e fazës paragjyqësore të procedurës”, thuhet në këtë shkresë.
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.