Gjykata e Lartë e SHBA-së bllokoi të enjten një urdhër të administratës së Presidentit Joe Biden për vaksinim ose testim të detyrueshëm për COVID-19 në bizneset e mëdha, në një kohë kur infeksionet po përhapen me shpejtësi.
Nga ana tjetër, gjykata më e lartë e vendit la në fuqi urdhrin për vaksinim të punonjësve të kujdesit shëndetësor.
Gjykata i mori vendimet pasi dëgjoi të premten argumentet pro dhe kundër në betejën ligjore mbi urdhrat për vaksinimin e detyruar që u ndërmorën nga dy agjenci federale me synimin për rritjen e normave të vaksinimit në SHBA dhe sigurisë në vendet e punës dhe mjediset e kujdesit shëndetësor.
Këto çështje vunë në provë se deri ku mund të shkojnë kompetencat presidenciale për të përballuar krizën në rritje të shëndetit publik që deri tani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 845,000 amerikanëve.
Gjykata ishte e ndarë në të dyja rastet. Gjykata vendosi me gjashtë vota të anëtarëve konservatorë pro dhe tre të atyre liberalë kundër, për të bllokuar vendimin për vaksinimin e detyruar në bizneset me më shumë se 100 punonjës.
Për të mbajtur në fuqi detyrimin për vaksinimin e punonjësve shëndetësore, votimi ishte 5-4, pasi kryetari i gjykatës John Roberts dhe gjykatësin Brett Kavanaugh, të dy konservatorë iu bashkuan krahut liberal.
Presidenti Joe Biden tha se ai ishte “i zhgënjyer që Gjykata e Lartë vendosi të bllokojë udhëzimet e arsyeshme për shpëtimin e jetës për punonjësit e bizneseve të mëdha”, udhëzime që sikurse tha “ishin të bazuara plotësisht në shkencë dhe ligj”.
Zoti Biden u bëri thirrje bizneseve të vendosin rregullat e tyre lidhur me vaksinimin, dhe vuri në dukje se një pjesë e mirë e kompanive e kanë bërë tashmë një gjë të tillë.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se dy urdhrat do të shpëtojnë jetë dhe do të forcojnë ekonominë e SHBA-së duke rritur numrin e amerikanëve të vaksinuar.
Entitetet që kishin ngritur paditë, përfshirë shtete të drejtuar nga republikanë dhe një aleancë biznesi dhe grupesh fetare, kishin argumentuar se agjencitë federale kishin tejkaluar kompetencat e tyre, kur lëshuan urdhrat pa autorizimin e Kongresit.
Shqyrtimi i këtyre dy çështjeve nga Gjykata e Lartë nxorri në pah se sa përçarëse është bërë çështja e vaksinimit në Shtetet e Bashkuara./VoA/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...