Erjon Vucaj largohet nga Drita, transferohet te skuadra nga Mali i Zi

14:13 | 13 Janar 2022
Lorik Gerbeshi

Erjon Vucaj do të jetë pjesë e Deçiçit në Mal të Zi.

Fantazisit, i cili ishte pjesë e Dritës në gjysmën e parë të edicionit, ka preferuar që ta vazhdojë karrierën e tij me skuadrës shqiptare të qytetit të Tuzit.

Ai ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysëm.

Mesfushori shqiptar ishte pjesë e Dritës që nga viti 2018, ku numëron 103 ndeshje në kampionat, gjashtë në Kupë, një në Superkupë dhe shtatë ndeshje në arenën ndërkombëtare.

Për mesfushorin, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e Laçit, Flamurtarit, Tiranës dhe Vllaznisë, kishte interes dhe nga skuadra e Thomas Brdaric, por në fund zgjodhi që të bashkohej me ekipin malazez.

Deçiç prej edicionit të shkuar është paraqitur mirë në elitën e futbollit malazez, teksa siguroi pjesëmarrjen në kupat e Evropës. Ishte pikërisht Drita e Vucajt që e eleminoi në verë nga Conference League.

Aktualisht, skuadra nga Tuzi ka grumbulluar 33 pikë, duke u pozicionuar në vendin e dytë, shtatë më pak se Sutjeska në vendin e parë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme