Google ADS

Ylli triumfon në derbin ndaj Trepçës

22:12 | 12 Janar 2022
KRG

Golden Eagle Ylli ka triumfuar në derbin ndaj Trepçës në Minatori në Mitrovicë me rezultat 62:84 (13:19, 14:17, 15:23, 20:25), në kuadër të javës së 15-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll. Me këtë fitore, therandasit janë liderë me 26 pikë, kurse mitrovicasit kanë 25.

Fillimi i ndeshjes ishte interesant, me vendasit që krijuan epërsi prej 11:6, por mysafirët rikthehen shpejt për të barazuar rezultatin në 13:13, dhe me gjashtë pikë radhazi fituan çerekun e parë 13:19. Therandasit në periudhën e dytë e thelluan edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 11 pikë, 23:34, ndërsa shkuan në pushim me rezultat 27:36, përcjell arbresh.info.

Pavarësisht se dhanë maksimumin mitrovicasit, kampionët e Kosovës nuk u ndalën as në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë. Ata thelluan edhe më shumë epërsinë, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 42:59, 17 pikë për mysafirët. Në dhjetë minutat e fundit, Ylli vulosi fitoren, ndërsa ‘shpërtheu’ Mikaile Tmusiq me treshe, duke u duartrokitur nga tifozët vendas, ndërsa rezultati përfundimtar ishte 62:84.

Te Trepça u dallua Drilon Hajrizi me shtatë pikë e nëntë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Mikaile Tmusiq me 25 pikë e katër kërcime, Erjon Kastrati me 21 pikë, katër kërcime dhe pesë asistime dhe Henrik Sirko me 12 pikë e 12 kërcime.

Trepça ka 10 fitore dhe pesë humbje, kurse Ylli 11 fitore dhe katër humbje.

Të ngjashme