Nikaj kritikon Gërvallën, thotë se nuk ka strategji për njohje të reja, e anëtarësim në organizata

17:57 | 12 Janar 2022
L G

Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë në PDK, Bernand Nikaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme për qasjen ndaj njohjeve të reja të vendit, aplikimit në organizata ndërkombëtare, dialogut, e çështje të tjera që kanë të bëjnë me politikën e jashtme e diplomacinë.

Nikaj i ftuar në T7 me Arsim Lanin ka thënë se sa ka qenë Vetëvendosje në opozitë ka qenë shumë e zëshme sa i përket mungesës së njohjeve e aplikimit në organizata ndërkombëtare, mirëpo siç ka thënë ai, tani që është në qeveri nuk është punuar në këtë drejtim.

“Mungesa e njohjeve por edhe një qasje më strategjike ndaj çështjes së diplomacisë në Kosovë është duke munguar për një periudhë të stërzgjatur tani. Ne kemi parë kur qeveria aktuale ka qenë në opozitë ka qenë shumë e zëshme për mungesën e njohjeve, ka qenë shumë e zëshme për procesin e aplikimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, mirëpo në momentin kur kanë ardh në qeveri po shohim një periudhë të stërzgjatur të një qasje shumë sporadike ndaj çështjeve jo vetëm të njohjes, por edhe të plotësimit të ambasadave me ambasadorë, të aplikimit në organizata ndërkombëtare, të ngritjes së partneritetit me miqtë tanë ndërkombëtarë, prandaj kjo është njëra prej çështjeve e cila me të vërtetë është brengosëse”, ka deklaruar ai.

Tutje Nikaj ka thënë se Qeveria Kurti tashmë është dashur të fillojë implementimin e një strategjie për njohje të reja, politikë të jashtme e diplomaci.

“Kur po shohim deklarimet e titullarëve të institucioneve krijohet përshtypja që kanë marrë pozitat javën e kaluar, përderisa tani kanë kaluar më shumë se 9 muaj nga fillimi i kësaj qeverie, duke mos llogaritur edhe kohën e Qeverisë Kurti I, kemi më shumë se një vjet e gjysmë kur është dashur që të ndërtohet dhe të filloj implementimi i një strategjie të strukturuar sa i përket njohjeve, sa i përket aplikimit në organizata ndërkombëtare, dialogut dhe shumë çështje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës“, ka shtuar ai.

Të ngjashme