Shkruan: Blerim Shala
Këtë të shtunë, me 15 janar do të shënohet 23 vjetori i Masakrës së Reçakut, njërës prej ngjarjeve tragjike në atë dyvjetëshin e luftës në Kosovë, e cila si tërësi, ishte një tjetër tragjedi e madhe në historinë 87 vjeçare të okupimit të Kosovës nga Serbia.
Do të na kthehen të gjithëve që e pritëm të gjallë çlirimin e Kosovës, në qershorin e vitit 1999-të, pamjet e atij lugut ku u patën shpërndarë viktimat civile të një krimi shtetëror të pushtetit të asokohshëm të Serbisë.
Ato pamje mbeten të paharrueshme.
Do të kemi, si rëndom, deklarata të atyre që çuditërisht i shpëtuan togës së pushkatimit, pastaj, të autoriteteve më të larta të Kosovës, të diplomatëve dhe ushtarakëve të atëhershëm të Perëndimit.
Do të ishte çudi e madhe nëse sërish, siç po ndodhë tash e sa vjet, ndonjë zyrtar i lartë i Serbisë (në mesin e tyre është rreshtuar edhe vet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, por edhe ish-Ministri në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijević), me këtë rast, nuk do të prononcohet në atë mënyrë, për ta mohuar këtë krim të luftës, apo, për ta kualifikuar atë si një inskenim të vet shqiptarëve.
Po e njëjta gjuhë, po i njëjti cilësim, nëse ju kujtohet, është përdorur prej Forcave politike dhe ushtarake serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, me rastin e dy krimeve të këtilla në tregun Markale të Sarajevës (në vitet 1994 dhe 1995).
Në atë rast, boshnjakët ishin ata që i inskenonin këto tragjedi, të cilat ndodhnin para dhjetëra kamerave të televizioneve më të njohura botërore dhe në prani të Misionit paqësor ndërkombëtar të UNPROFOR-it.
Në Kosovë, gjatë dy viteve të luftës, ka pasë masakra të shumta, në të katër anët e vendit, me mijëra viktima civile. Megjithatë, kur përmendet Reçaku, shpërthejnë si në asnjë tjetër rast, pohimet e politikanëve serbë se këtu kemi të bëjmë me një fabrikim të shqiptarëve, të ndihmuar shumë nga William Walker (Shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, apo të KDOM-it), dhe nga Administrata e atëhershme amerikane e Presidentit Clinton.
Politika zyrtare serbe e preferon një thjeshtësim evident në këtë rast, me krimin e Reçakut.
Sipas saj, pa Reçakun, nuk do të kishte fushatë ajrore të Aleancës Veri-Atlantike, në pranverën e vitit 1999. Pa këtë veprim të Paktit NATO, nuk do të kishte dëbim të Serbisë nga Kosova, në muajin qershor të po atij viti. Pa largim të Serbisë nga Kosova, nuk do të ndodhte shpallja e pavarësisë me 17 shkurt të vitit 2008.
Nëse pra Reçaku është sajesë politike dhe ushtarake e shqiptarëve dhe amerikanëve, apo, nëse nuk ka pasë kurrë krim në këtë fshat, në janarin e vitit të dytë të luftës, atëherë, një mashtrim i madh shqiptar dhe ndërkombëtar i ka paraprirë veprimeve dramatike të Perëndimit, të SHBA-së, Paktit NATO dhe BE-së (në atë kohë të unifikuar), të cilat sollën deri te zhvillimet e pakthyeshme në Kosovë.
Për këtë shkak, edhe pushteti i tashëm në Serbi, këmbëngulë në këtë qëndrim kategorik, për fabrikimin e Masakrës së Reçakut, për ta zhvlerësuar historinë e Kosovës të atij viti, e cila ishte vendimtare për fatin e shqiptarëve në Kosovë.
Natyrisht, e gjithë Bota demokratike edhe atëherë, e edhe sot e kësaj dite e di që kjo është një gënjeshtër e prodhuar nga pushteti i Serbisë, për ta mohuar të vërtetën e rëndë të Reçakut.
Por, e vërteta për luftën në Kosovë, nuk është dot rezultat i një ngjarje të vetme, sado që Reçaku kishte përmasa të pashoqe në atë kohë, sepse erdhi në kohën e një armëpushimi të arritur muaj më parë me ndërmjetësimin e Ambasadorit të njohur amerikan Richard Holbrooke.
Kjo e vërtetë është tërësi e përbërë prej krimeve të shumta të bëra nga forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe gjatë viteve 1998, 1999, nga dështimet e nismave të shumta diplomatike ndërkombëtare, në krye me Grupin e Kontaktit (pesë shtetet më të fuqishme të Perëndimit dhe Federata e Rusisë), më në fund, nga refuzimi i Delegacionit të Serbisë për ta nënshkruar Marrëveshjen Paqësore për Kosovën, në Konferencën e Rambouilletit (shkurt, mars, 1999).
Refuzimi i këtij Propozimi final të Grupit të Kontaktit, prapa të cilit qëndronte edhe Rusia e atëhershme, ishte hapi i parë në atë etapën konkluduese të largimit të Serbisë nga Kosova.
Për shqiptarët e Kosovës, kjo e vërtetë është më e thellë, shumë më e gjatë dhe ajo nisë në muajin nëntor të vitit 1912, kur Kosova okupohet nga Serbia.
Kosova kurrë nuk është dashtë të jetë pjesë e Serbisë.
Megjithatë, për ta marrë vesh dhe për ta kuptuar këtë të vërtetë në Perëndim, është dashtë të kalojë thuaja një shekull i plotë i historisë këndejpari, në Kosovë, në rajon dhe në Evropë.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?