Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani pritet të jap raport të detajuar para Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) rreth të gjitha veprimeve që janë ndërmarrë nga prokurorja Stojanka Kasaloviq lidhur me rastin e Lirije Qerimajt, e cila u vra nga bashkëshorti i saj.
Kryeprokurori Ujkani do të kërkojë llogari nga prokurorja Kasaloviq rreth dyshimeve për neglizhencë në trajtimin e rastit të Lirije Qerimajt nga Llausha e Skenderajt, që u privua nga jeta të mërkurën veç pak ditë pas raportimit të saj për dhunën nga bashkëshorti në organet e sigurisë dhe drejtësisë.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku tha për arbresh.info se janë në pritje të raportimit nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani rreth çdo detaji për rastin e vrasjes në fshatin Llaushë të Skenderajt.
“Ne kemi kërkuar edhe sipas kumtesës që e ka bërë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kemi kërkuar prej kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë që konform dispozitave ligjore të ndërmerr të gjitha hapat ligjor rreth rastit dhe njëkohësisht t’i propozojë Këshillit Prokurorial të Kosovës të ndërmerr masat konform ligjit mbi përgjegjësit disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Maloku.
Ai tha se javën e ardhshme beson që kryeprokurori Ujkani do të dorëzojë raportin rreth veprimeve apo mos veprimeve të prokurores Stojanka Kasaloviq në këtë rast.
“Ne po besojmë që së shpejti kryeprokurori i kësaj prokurorie ka me informu në detaje Këshillin Prokurorial se çfarë në të vërtet ka ndodh në rastin konkret të vrasjes në fshatin Llaushë. Besoj që ai (kryeprokurori Ujkani) ka me marr informatën prej prokurores në fjalë dhe neve ka me na njoftua sa ma urgjent, besojmë shumë që javën e ardhshme do e pranojmë raportin për rastin dhe njëkohësisht konform gjitha informatave që do t’i disponojmë do të marrim masa ndaj prokurorit të njëjtë”, u shpreh kryesuesi i KPK-së për arbresh.info.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme organizata “Gratë Intelektuale të Drenicës” ka protestuar në Skenderaj duke kërkuar shkarkimin e komandantit të Policës lidhur me rastin e vrasjes së 48 vjeçares në Llaushë.
Me thirrjet “Boll ma”, “Duam siguri”, “Ku mu anku na”, “Stop vrasjeve të grave”, “Polici i ki duart me gjak”, protestuesit kanë dënuar vrasjen e 48 vjeçares në Llaushë, duke kërkuar seriozitet nga institucionet që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Lirije Qerimaj dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj 51-vjeçari Skender Qerimaj më 5 janar me gjashtë plumba, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.
Pesë ditë para vrasjes, tashmë e ndjera kishte denoncuar dhunën fizike nga bashkëshorti Skender Qerimaj në Policinë e Kosovës bashkë me djalin e saj.
Përkundër kësaj, i dyshuari për vrasjen e saj nuk ishte mbajtur asnjë ditë në ndalim./arbresh.info/ Sahide DEDUSHI/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...