Thiago Silva dhe Kante rezultojnë pozitivë me COVID-19

21:35 | 5 Janar 2022
KRG

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka konfirmuar se N’Golo Kante dhe Thiago Silva kanë rezultuar pozitivë me coronavirus, për këtë arsye nuk janë përfshirë në ndeshjen e EFL Cup kundër Tottenham Hotspur.

Blutë nuk kanë mundur të llogarisin në shërbimet e dy lojtarëve të rëndësishëm në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Carabao Cup në Stamford Bridge.

Testet e dy futbollistëve kanë dalë pozitive mëngjesin e të mërkurës, ashtu që ata do t’i nënshtrohen periudhës së izolimit.

Pos gjysmëfinales së parë të EFL Cup, ata do të mungojnë edhe në sfidën e Kupës FA kundër Chesterfieldit në fundjavë, si edhe në sfidën kthyese në Tottenham Hotspur Stadium pas një jave.

Kur është pyetur nga gazetarët nëse ka raste të reja në kampin e Chelseat, Tuchel është përgjigjur: “Po, fatkeqësisht Thiago Silva dhe N’Golo Kante”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme