Google ADS

Shqipëri 2021: Nga pandemia, te zgjedhjet dhe kriza në PD

01:46 | 31 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Për të dytin vit radhazi, në 2021, shqiptarët, ashtu si dhe pjesa tjetër e botës, bashkëjetuan me koronavirusin. Ky vit nisi si një betejë për të siguruar vaksina dhe u mbyll me një tjetër betejë, këtë herë për të nxitur vaksinimin përballë skepticizmit dhe stepjes së shumë qytetarëve.

Dy zhvillime të rëndësishme politike dominuan gjithashtu këtë vit në Shqipëri.

Në gjysmën e parë të tij, ishin zgjedhjet parlamentare, në të cilat socialistët u rikonfirmuan për të tretën herë radhazi në pushtet, si askush më parë.

Në gjysmën e dytë, zhvillimet në Partinë Demokratike, iu mbivendosën gjithç​kaje tjetër.

Tronditja prej humbjes në zgjedhje u pasua nga një goditje dhe më e fortë. Ish kryeministri Sali Berisha u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara. Një vendim që provokoi lëvizje të forta tektonike brenda forcës kryesore të opozitës

PANDEMIA COVID 19

Në ditën e parë të vitit kryeministri Rama njofton se “Shqipëria ka siguruar zyrtarisht, 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer”.

Furnizimi megjithatë do të jetë i shtrirë në kohë e fillimisht në sasi të kufizuara.

Ngarkesa e parë pritej në javën e tretë të Janarit. Por falë 1 mijë dozave dhuratë nga një vend europian, emri i të cilit nuk u mësua asnjëherë, vaksinimi nisi më 11 Janar.

Kritik ndaj asaj që e cilëson mungesë solidariteti nga ana e Bashkimit Europian, pikërisht në Bruksel (1 mars) kryeministri paralajmëron se Shqipëria po hedh sytë dhe nga vaksinat kineze e ruse.

“Edhe pse nuk ishte zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave”, – deklaroi gjatë një konference shtypi me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikat e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrel dhe Komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Një sasi prej 10 mijë dozash Sputnik V, mbërrin si dhuratë (22 Mars) nga Emiratet e Bashkuara.

Pak ditë më pas njoftohet marrëveshja për 1 milion doza të vaksinës kineze Sinovac.

Të çliruara, autoritetet nisin vaksinimin masiv, dhe pas muajit gusht, procesi hapet për të gjithë ata mbi 18 vjeç.

Por ritmet bien ndjeshëm në tetor e nëntor, duke u përgjysmuar. Prej 1 nëntorit mosha ulet në 16 vjeç dhe nis aplikimi i dozës së tretë.

Një përmirësim i lehtë vihet re në dhjetor ndoshta si pasojë e frikës së shfaqjes së variantit Omicron, apo vendimit për ta bërë gati të detyrueshme për administratën publike dhe punonjësit qendrave tregtare dhe supermarketet.

Një vendim që nuk dihet sa do të zbatohet, përsa kohë një masë e ngjashme për studentët u shpërfill haptazi, sikundër dhe masat kufizuese, që duken se qëndrojnë në fuqi vetëm në letër.

Shqipëria ende nuk ka vaksinuar me të paktën një dozë as gjysmën e popullatës, pavarësisht premtimit të qeverisë për ta përmbyllur si proces në pranverën e ardhshme.

Gjatë gjithë vitit, mbi 150 mijë qytetarë u prekën nga virusi. Thuajse gjysma e tyre në muajt shkurt dhe mars, kur dhe spitalet u tejmbushën me mbi 650 pacientë në ditë. Shkurti ishte dhe muaji më i vështirë me gati 29 mijë të prekur.

Përgjatë 2021-it Covid 19 shkaktoi vdekjen në spitale të pak më shumë se 2 mijë qytetarëve.

ZGJEDHJET E 25 PRILLIT

Ethet elektorale nisin shumë më përpara hapjes zyrtare të fushatës. Për herë të parë aplikohet identifikimi biometrik i votuesve, ndërsa pilotohet, në një zonë të Tiranës, dhe votimi elektronik.

Rezultati bëhet i qartë brenda 48 orësh. Një lumë ankesash nga opozita nuk do e ndryshojnë atë.

Ndërsa partitë janë ende në kohë për përpilimin e listave të kandidatëve, ambasadorja amerikane Yuri Kim vë theksin te rëndësia e pastërtisë së emrave që do përzgjidhen (29 Janar).

“Eshtë përgjegjësi e liderëve politik që kandidatët të jenë të pastër. Të heqin të korruptuarit nga lista që ofendojnë zgjedhësit shqiptarë”, deklaron ajo. Ndërsa duket se këto deklarata kanë kryesisht si objektiv shumicën, kryeministri Rama (1 Shkurt) shprehet se për këdo që gënjen në vetdeklarim “është përgjegjësi individuale. Nuk është përgjëgjësi partie. Partitë nuk janë drejtori policie”.

Thirrjeve për kandidatë të pastër do i bashkohet po ashtu dhe BE-ja. Ambasadorja Kim do t’i rikthehet disa herë kësaj teme, duke kujtuar veçanërisht rastin e deputetit Tom Doshi, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara. Eshtë kjo trysni që e detyron në përfundim të zgjedhjeve zotin Doshi të tërhiqet nga mandati i sapofituar.

Në garën e 25 Prillit socialistët hyjnë të vetëm, ndërsa opozita, për shkak se koalicionet nuk parashikohen në ligj, paraqitet me dy skuadra.

Nga njëra anë demokratët që përfshijnë në lista drejtuesit e forcave kryesore aleate dhe nga ana tjetër LSI-ja. Pavarësisht një marrëveshjeje për bashkëpunim në qeverisje, ato zhvilluan një fushatë në distancë. Madje Basha e Kryemadhi shfaqen vetëm një herë së bashku.

Përtej retorikës së ngarkuar, fushata duket se ecën përgjithësht e qetë. Por në javën e fundit atmosfera do të trazohet.

Në Kavajë (19 prill) plagoset me armë sekretari i PD, në një nga zyrat elektorale. Policia flet për një sherr banal.

Autori i goditjes është një person me precedentë penal, por që, sipas demokratëve, me lidhje me eksponentë lokal të shumicës.

Dy ditë më pas, një përplasje me armë në qendër të Elbasanit përfundon me vrasjen e Pjerin Xhuvanit, që mendohet të ishte i angazhuar në fushatën e socialistëve. 4 të tjerë, mes tyre dhe një punonjëse policie e ndodhur pranë vendngajrjes, mbetën të plagosur.

Një grup në mbështetje të Partisë Demokratike, i quajtur “Struktura e mbrojtjes së votes”, do të deklaronte se kishte ndaluar një automjet që po shpërndante para në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti.

Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, sot e kësaj dite. Policia dhe prokuroria japin deklarata disi kontradiktore mbi materialet e gjendura në automjetin e bllokuar nga demokratët, ndërsa 10 anëtarë të strukturës së demokratëve arrestohen, përfshirë autorin e vrasjes, që ish shprehur të kishte vepruar në kushtet e vetmbrojtjes.

Po ashtu u arrestohet dhe një mbështetës socialist. Një person tjetër u shpall në kërkim.

Dy ditë më pas drejtuesi demokrat në Dibër Xhelal Mziu, i hedh benzinë zjarrit duke deklaruar se “çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do e pësojë si ai i Elbasanit”. Menjëherë pasi thirrja e tij bëhet publike zoti Mziu detyrohet të kërkojë falje

Kryeministri Edi Rama, ka një strategji të qartë. Më shumë se sa te premtimet, ai përpiqet të bindë shqiptarët se sipas tij një votë për opozitën do të ishte votë për zotin Berisha dhe presidentin Meta.

“69 është numri i djallit. Kush e ka 6-ën? Mona. Kush e ka 9-ën? Luli. Rrotullohen ato bëhet 69, të del Iliri me Saliun”, shprehet kryeministri gjatë një prej takimeve në Tiranë.

Zoti Basha nga ana e tij premton ndërhyrje të shumta thuajse në të gjitha drejtimet, duke u angazhuar për ulje taksash apo dhe financime të projekteve zhvillimore e subvencione të ndjeshme për disa sektorë të ekonomisë, i bindur se koha e kryeministrit ka mbaruar: “8 vite dështim, 8 vite mjerim. Përgjigjen do ta marrin me votë në kutitë e votimit”.

Procesi i votimit zhvillohet qetësisht. Në mbrëmje, Exit poll-et parashikojnë një rezultat të ngushtë.

PS konfirmohet si forcë e parë, por PD me LSI-në, së bashku, rezultojnë te jenë në avantazh. Rama qetëson menjëherë të tijët. “Votat janë në kuti, që të gjitha”, deklaron ai nga selia e partisë së tij.

Zoti Basha shfaqet optimist. “Kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar, është një fitore e qartë për Aleancën për ndryshim”, thotë ai. Me të njejtin optimizëm do të dalë para gazetarëve dhe të nesërmen: “Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të Partisë Socialiste dhe një fitore, ose më mirë një rritje të numrit të votave për Partinë Demokratike, për Koalicionin për Ndryshim”.

Por orët në vijim do të ofrojnë një panoramë tjetër për opozitën. PD ndalet në 59 mandate, ndërsa LSI tkurret në vetëm 4 vende në parlament.

Për kryeministrin Rama “kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e Partisë Socialiste të Shqipërisë”. Por zoti Basha flet për një masakër zgjedhore: “Këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë, jo me një kundërshtar politik, por me një rregjim, që bëri gjithshka për të shkatërruar garën e ndershme elektorale”.

KRIZA NE PD

Humbja në zgjedhje do të provokojë një rrebesh sulmesh mbi zotin Basha, shoqeruar me kërkesat për largimin e tij. Por goditja e madhe do të jetë vendimi i Shteteve të Bashkuara për të shpallur “non grata” ish udhëheqësin demokrat Sali Berisha.

Nën një trysni të fortë, kryetari Basha do të vendosë ta lerë atë jashtë grupit palamentar. Lëvizje e cila do të hapë Kutinë e Pandorës në Partinë Demokratike.

Që përpara se zoti Basha të dilte për të shprehur qëndrimin ndaj rezultatit të zgjedhjeve, anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli kërkon dorëheqjen e tij dhe hapjen e garës për kryetarin e ri, në të cilën ai shpall se do të jetë kandidat.

Për të zoti Basha provoi të ishte një projekt i dështuar sepse “nuk siguroi sukses për demokratët. Nuk arriti t’i shpërblejë demokratët për mbështetjen e përhershme dhe të pakursyer që i kanë dhënë në këto 8 vjet”.

Zëra të tjerë kundër do të shtohen duke kërkuar largimin e tij. Mes tyre spikat ish presidenti Nishani që e akuzon kryetarin se po mban peng partinë.

Zoti Basha shfaqet në publik 10 ditë më pas (4 maj). Ai flet sërish për një masakër elektorale. Duke anashkaluar kritikat e ashpra ndaj tij e përgjegjësinë për humbjen, ndërmerr një tur në bazën e partisë dhe deklaron se nuk e njeh rezultatin (14 maj).

Pas një mbledhjeje të gjatë në kryesi dhe Këshillin kombëtar (16 maj) hapet gara për kreun e partisë.

Për kandidatët lihen vetëm 18 ditë kohë për fushatë. Nga pozitat e kryetarit, zoti Basha do të ketë përballë, veç zotit Kadilli dhe Edit Harxhin e deputetin Agron Shehaj. Kërkesat e këtyre të fundit për kushte të barbarta në konkurrim refuzohen.

Paravarësisht qasjeve që dallojnë ndjeshëm, të tre rivalët e zotit Basha i bashkon nevoja, sipas tyre, për një ndryshim të fortë në Partinë Demokratike, dhe largimin e kryetarit.

“Fatkeqësisht po përdoret alibia e humbjes, që është një alibi e qenësishme të them të drejtën, por po përdoret pikërisht për të rikonfirmuar kryetarin në detyrë”, deklaroi për Zërin e Amerikës zonja Harxhi.

Kandidati Kadilli nga ana e tij, shprehet se “zoti Basha nuk doli më dot nga kompleksi i humbësit, e vetëm sa ndërron epitetin apo cilësimin për zgjedhjet e radhës”.

Ndërsa zoti Shehaj deklaron për Zërin e Amerikës se “e vërteta është që demokratët nuk janë në pushtet. Pastaj, kushdo mund ta quajë humbje, dikush tjetër mund ta quajë fitore. Por në thelb ne jemi në opozitë, demokratët janë në opozitë”.

Tezën e masakrës zgjedhore dhe mosnjohjes së rezultatit, zoti Basha do ta ketë refren të fushatës së tij, duke e shpallur atë gati ati si një vijë ndarëse për demokratët: “Për një gjë nuk mund të kemi 2 mendime, e nuk mund të ulemi në 2 karrige, ose 25 prilli ishte masakër zgjedhore ose ishte fitore e e Edi Ramës. Në qoftë se pranojmë të dytën, atëherë de facto kemi shkelur mbi sakrificën e demokratëve”.

Ai fiton bindshëm, të tretin mandat radhazi, në opozitë.

ÇESHTJA BERISHA

Zgjedhjet në PD u zhvilluan nën sfondin e një goditjeje të rëndë, që forca kryesore e opozitës ka marrë vetëm pak javë më parë.

Pothuajse të gjithë u përpoqën t’i rrinin larg komenteve mbi vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit, i cili më 19 maj do të njoftojë ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, për ish kryeministrin Sali Berisha e familjen e tij, për shkak të “akteve të rënda të korrupsionit” dhe “minimit të demokracisë”.

Zoti Berisha reagon menjëherë duke u shprehur i keqardhur e duke deklaruar se vendimi nuk ka asnjë bazë konkrete.

Më pas, po përmes një statusi në Facebook, kryetari demokrat Basha shkruan se ndjehet po ashtu “i keqardhur”.

Ai i del në krah pararendësit të tij duke bërë “thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”.

Të nesërmen zoti Berisha njofton vendimin për të ngritur padi për shpifje në një gjykatë të shkallës së parë në Paris, ndaj Sekretarit Blinken: “Pas 8 vitesh i larguar nga drejtimi, kur më shkelmohet e nëpërkëmbet dinjiteti im, unë detyrohem të ndërmarr një akt të tillë”.

Ndaj lëvizjes së zotit Berisha ambasadorja Kim duket (21 Maj) mospërfillëse dhe nënvizon se “askush, askush nuk është mbi ligjin. Ditëve të pandëshkueshmërisë duhet t’u vijë fundi”

Më i ashpër se dhe vet zoti Berisha shfaqet presidenti Meta (22 maj). Ai e cilëson vendimin “një fletërrufe”, duke i shprehur me tej solidaritet ish kryeministrit për një akt që e quan “të poshtër, të shëmtuar e të pabesë”.

Për disa javë, mbi këtë çështje do të flitet vetëm në debatet mediatike. Zoti Basha i shmanget komenteve të mëtejshme.

Më 30 qershor ai takon në Tiranë Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit Philip T. Reeker.

Siç do mësohet më vonë kërkesa ndaj tij ka qenë e qartë. PD duhet të distancohej nga zoti Berisha.

Pak javë më vonë në Kuvendin kombëtar (17 korrik) ish kryeministri pritet me brohoritje në sallë, dhe përqafimi i tij me kryetarin partisë nuk kalon pa u vënë re.

Por në fund të muajit. ambasadorja Kim është e drejtpërdrejtë në komentet e saj pas një takimi me zotin Basha.

“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, deklaron zonja Kim, duke bërë të qartë se koha brenda së cilës zoti Basha duhet të vendosë do të jetë deri në fillim të shtatorit, para se të nis parlamenti i ri.

Ish kryeministri reagon pak ditë më pas, duke u shprehur se ambasadorja amerikane duhet “të kërkoj ndjesë publikisht”, për komenetet e saj dhe saktëson se “në parlament, unë do të futem ashtu siç më kanë zgjedhur qytetarët shqiptarë”

Zoti Basha i cili kishte zgjedhur heshtjen, shfaqet një natë përpara hapjes së parlamentit (9 shtator) dhe njofton se “zoti Berisha nuk do të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD-së”.

Ky do të jetë vendimi që do të shënojë krisjen e parë të fortë. Të nesërmen zoti Berisha e sfidon hapur kryetarin ndërsa deklaron se “jashtë çdo lloj diskutimi jam anëtar i grupit parlamentar të PD-së”.

Çka do të pasojë, dëshmon se rrugët e tyre janë ndarë pa kthim. Zoti Berisha e akuzon kryetarin e partisë për bashkëpunim me kryeminisrin dhe flet për “pazare të turpshme, pazare të fëlliqura të Lulzim Bashës me Edi Ramën”.

Zoti Berisha ndërmerr një tur në bazën e partisë. Kryetari Basha, njeriu të cilit i kishte ofruar mbrojtjen e tij, paraqitet papritmas si djalli që duhet dëbuar.

“Nuk ia ka bërë kurrë, askush, asnjë partie, atë që i bëri ky. DO të jetë mirë të shkojë andej nga erdhi”, deklaron ai gjatë një takimi në Fier. (21 shtator).

Për Bashën, pararendësi i tij po kërkon të mbajë peng partinë për hallet e tij personale.

Ai mbron me forcë vendimin e marrë (23 tetor): “Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo”

Replikat mes të dyve sa vijnë e ashpërsohen. Zoti Berisha nuk e fsheh qëllimin për marrjen e drejtimit të Partisë dhe “rikthimin e Sali Berishës, si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë” (10 nëntor).

Po atë ditë ai deklaron mbledhjen e 4200 firmave për thirrjen e Kuvendit të parlajmëruar për më datë 11 dhjetor.

Në selinë e PD-së nuk e njohin këtë vendim dhe pak ditë më pas njoftojnë thirrjen e një tjetër Kuvendi më 18 dhjetor.

Një ditë para Kuvendit të zotit Berisha ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar takon në Tiranë kryetarin demokrat Basha duke njoftuar një vizitë të tij në Uashington.

Ndërsa në një intervistë në News 24 për gazetarin Sokol Balla, shprehet prerë se “do të ketë pasoja nëse Partia Demokratike zgjedh për të qenë udhëheqësi i saj, dikë që është i shpallur”.

Në Kuvendin e 11 dhjetorit mbështetësit e Berishës votojnë për një statut të ri dhe shkarkimin e kryetarit Basha.

Një javë më pas ata organizojnë dhe referendumin për të ratifikuar largimin e tij. Paralelisht, Kuvendi tjetër deklaron ndarjen përfundimtare me zotin Berisha.

Përplasja mes palëve transferohet në selinë e partisë, ku ish kryeministri dhe përkrahësit e tij do të shfaqen disa herë.

Tensionet nuk do të mungojnë. Dera e mbyllur e njërës prej sallave në katin e dytë të selisë hapet me forcën e shkelmave nga një prej personave që shoqeronin zotin Berisha dhe mbështetësit e tij (21 dhjetor).

“Hyrja e dhunshme në zyra, vetëm ekspozon dëshpërimin e Sali Berishës”, reagon zoti Basha.

Dy ditë më vonë mbërrin dhe ultimatumi për kryetarin demokrat, që të largohet brenda datës 5 Janar, në të kundërt “do të detyrojë anëtarësinë e PD-së, të shndërrohet në përmbaruesin politik të vendimit dhe vullnetit të saj”.

Por zoti Basha reagon me forcë duke u shprehur se “nuk na plas për karriget e atyre që paskan qenë këtu vetëm për karrike” e duke shtuar se “PD ka të gjitha mundësitë për të mbrojtur integritetin e institucionit të saj, nëse dikush mendon se mund ta përdhosë me banditë të dhunshëm”.

META-PERPLASJET

Presidenti Ilir Meta pati një protagonizëm të theksuar në periudhën që i parapriu zgjedhjeve të 25 prillit.

Socialistët e akuzojnë për përfshirje në fushatë në favour të opozitës, dhe menjëherë pas zgjedhjeve ndërmarrin nismën për shkarkimin e tij. Fjalën e fundit e ka tani Gjykata Kushtetuese

Cilësimi i zgjedhjeve si një referendum kundër qeverisë do të jetë një refren i deklarimeve të shpeshta të kreut të shtetit, në vizitat e tij në qytete të ndryshme të vendit.

“Kur flas për referendum në 25 prill kam parasysh së është vënë në pikëpyetje e ardhmja europiane e Shqipërisë”, shprehet zoti Meta gjatë një takimi në Fier.

Ai flet për një rregjim, oligarkë dhe lidhje të qeverisë me krimin, duke përdorur jo rrallë dhe tone të larta, si në rastin e përplasjes mes simpatizantëve të palëve Ditën e Verës në Elbasan: “Eshtë një bandë ndërkombëtare, është dhe një bandë lokale që ka marrë përsipër pastrimin e parave të Ndranghetta-s dhe gjithë mafies ndërkombëtare. Kaq”, deklaron ai gjatë një konference shtypi në presidencë.

Deklaratat e tij do të bëhen edhe më të ashpra më afrimin e ditës së votimit, ndërsa përmend prerje duarsh në shesh ndaj atyre që prekin votat, apo “u bëni thirrje të gjithë burrave e grave të Fierit e Mallakastrës, t’i mprehin cfurqet, kosoret, sopotat, e t’i kenë gati për ditën e dielë”.

Socialistët nuk kanë asnjë dyshim se ai “e ka vënë zyrën e rojtarit të Kushtetutës, në dispozicion të ndërmarrjes që formalisht e menaxhon e shoqja”, deklaron kryeministri Edi Rama.

Replikat mes tyre do të tejkalojnë shpesh dhe etikën e komunikimit. “Të kontrollohen të gjithë psiqikisht, janë në rregull apo jo nga rutë,përpara se të marrin detyrën, që nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, ministrat e drejtuesit e të gjitha institucioneve”, deklaron zoti Meta.

Ndërsa për kryeministrin “Eshtë praktikisht, nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës”.

Në 12 mars presidenti do të përfshihet në konfliktin mes policisë bashkiake të Tiranës dhe përfaqësuesve të Frymës së Re Demokratike për lirimin e zyrave të këtyre të fundit.

Sipas tij bëhej fjalë për një përpjekje “mafioze për të vënë dorë mbi votën e barabartë dhe një proces zgjedhor me garanci e integritet”.

Presidenti Meta përdor sërish tone të forta ndaj punonjësve të policisë: “I paralajmëroj dhe një herë të gjithë policët, bashkiakë e polici e Shtetit. Zbatoni ligjet. Të mos përfundoni si policët e Mubarakut nën këpucët e popullit shqiptar”. Kryeministri Rama e konsideron “një shfaqje klinikisht të rëndë”.

Nuk kanë kaluar veçse pak ditë nga zgjedhjet dhe socialistët (3 Maj) mbledhin firmat për të kërkuar shkarkimin e presidentit, duke vlerësuar se ai ka shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor, “duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës”.

Shumica vepron me ngut. Ajo është në garë me kohën, pasi ngritja e Komisionit hetimor që do të vlerësojë kërkesën për shkarkim, duhet të miratohet në seancë brenda datës 9 maj, afati i fundit i lejuar nga ligji.

Gjithshka kryhet në nxitim e sipër, pa bërë kujdes as në respektimin e procedurave.

Komisioni i ligjeve aprovon menjëherë kërkesën (6 maj) dhe një ditë më pas parlamenti voton në favour.

“Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari anti kustetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë”, reagon zëdhënësi i presidencës, Tedi Blushi.

Dhe në fakt presidenti nuk do të shkojë në komisionin hetimor, i cili mbyll gjithshka në tre javë.

Më 9 qershor parlamenti voton. Pro shkarkimit votojnë 104 deputetë, vetëm 7 janë kundër.

Por presidenti Meta shfaqet i pashqetësuar: “Deri më 24 korrik të vitit të ardhshëm do të jemi këtu”.

Vendimi përfundimtar i takon gjykatës Kushtetuese e cila ka thirrur një seancë publike më 18 Janar.

Por çfarëdo që të ndodhë, zoti Meta e ka bërë të qartë të ardhmen e vet. Rikthim në shtëpinë e tij, për të marrë sërish drejtimin e LSI-së./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme