Bislimovski: Nuk do të ketë rritje drastike të çmimit të rrymës

20:52 | 29 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Rritje drastike të çmimit të rrymës nuk do të ndodhë, siguron kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski.

Ai në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat ka thënë se çmimi nuk do të rritet shumë sepse kështu do të ulet pagesa e faturave. Sipas tij, kompanitë nga sektori energjetik në vend kanë pasur shumë vërejtje lidhur me pranimin e shpenzimeve të tyre, nga të cilat varet edhe çmimi përfundimtar për amvisëritë dhe bizneset e vogla.

“Çdo gjë që është mbi 20% në pjesën e rrymës është rritje drastike. Kompanitë kanë vërejtje ndaj shpenzimit tonë të planifikuar për furnizimin me rrymë, për mbulimin e humbjeve”, u shpreh Marko Bislimovski- kryetar i KRRE-së.

Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës thonë se të enjten dihet cili do të jetë çmimi përfundimtar që do të paguajnë amvisëritë në gjashtë muajt e ardhshëm. Sa i përket kompanive që janë në tregun e lirë dhe të cilave u janë ndërprerë kontratat e dorëzimit nga furnizuesit, Qeveria njofton se do t’i hetojë këto raste.

“Nëse shohim se ka shkelje të dispozitave, sigurisht që do të ndërhyjë Qeveria. Në këtë moment, për fat të mirë për ne, për fat të mirë të qytetarëve dhe biznesmenëve, çmimet e energjisë elektrike në bursë janë në rënie dhe për këtë arsye nuk janë serioze indikacionet se dikush do të ofrojë 500 euro për megavat orë”, tha Fatmir Bytyqi- zëvendëskryeministër.

Nga Shoqata Aksionare Distribuimi kërkojnë që rregullatori për shërbimet t’u pranojë çmim më të lartë se 100 për qind, MEPSO mendon se duhet të ketë rritje prej 82 për qind. EMV që është në pronësi të shtetit, e cila do të sigurojë të gjitha sasitë e nevojshme për familjet dhe bizneset e vogla, do të marrë rritje prej 13 për qind për energjinë elektrike që ia shet furnizuesit universal. Kjo do të thotë se nga Viti i Ri, në vend se 36 euro, një megavat orë energji elektrike do të kushtojë 41 euro. Por, qytetarët presin të dëgjojnë nëse tarifa e lirë ditore do të jetë në dispozicion pas Vitit të Ri./alsat

Të ngjashme