Presionet e KOK bëjnë që IOC të kërcënojë Serbinë për diskriminimin që i bënë boksierëve tanë

18:04 | 29 Dhjetor 2021
KRG

Presionet e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Boksit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe në Federatën Ndërkombëtare të Boksit Amator (AIBA) kanë nisur të japin efektet e para.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar përmes një deklarate të dhënë në mediat izraelite dhe të publikuara në media të ndryshme botërore, ka lëshuar kërcënimin e parë për Serbinë. IOC ka kërcënuar shtetin serb me mos dhënien e organizimit të ngjarjeve të mëdha, nëse vazhdon diskriminimi i sportistëve kosovarë.

E gjithë kjo vjen pas diskriminimit të boksierëve tanë në muajin tetor të këtij viti, të cilëve iu mohua hyrja në këtë shtet dhe pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Boksit, të organizuar në Beograd.

Ne letrën e siguruar nga “Jerusalem Post”, IOC krahas botërorit të boksit, ka përmendur edhe botërorin e anuluar të “squashit” të paraparë të mbahej në Malajzi, vend ky që refuzoi t’u japë viza sportistëve të Izraelit.

IOC-ja ka thënë se do të punojë me Komitetet Olimpike të Malajzisë dhe të Serbisë për të gjetur zgjidhje me qeveritë përkatëse dhe se nëse kjo nuk arrihet, “këto vende do të përjashtonin veten nga e drejta për të organizuar ngjarje sportive ndërkombëtare, derisa të merren dhe të respektohen garancitë e nevojshme”.

Tutje, drejtues të IOC-së, kanë kërkuar nga federatat ndërkombëtare që të jenë jashtëzakonisht vigjilente kur japin të drejtën e organizimit të ngjarjeve sportive ndërkombëtare, pasi paraprakisht duhet garantuar pjesëmarrja e të gjithë sportistëve nga vendi mikpritës.

Që prej diskriminimit të boksierëve tanë nga Serbia, KOK dhe FBoxK, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me IOC dhe AIBA-në, nga të cilët ka kërkuar masa më rigoroze ndaj shtetit të Serbisë dhe njëkohësisht kompenzim për humbjen që u shkaktoi politika boksierëve tanë me mospjesëmarrjen në botëror.

Vitin e ardhshëm, pikërisht në Beograd, do të mbahet Kampionati Botëror i Mundjes, ku mundësit tanë kanë paralajmëruar pjesëmarrjen.

Të ngjashme