Google ADS

Prokuroria kërkon paraburgim për vrasjen e mbrëmshme në Mitrovicë

17:22 | 29 Dhjetor 2021
L G

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të ndaluarit me iniciale G.R., dhe M.H., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të dyshuarit, natën e mbrëmshme (të martën) me datë 28 dhjetor 2021, gjatë grabitjes së një dyqani ushqimor në rrugën “Mbretëresha Teutë“ në Mitrovicë, kanë privuar nga jeta pronarin e dyqanit me iniciale A.M, shkruan arbresh.info.

“Të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë./arbresh.info/

Të ngjashme