Ndërsa Kosova po përballet me krizën e saj më të rëndë energjetike në një dekadë, Xhelal Gashi po mendon ta mbyllë furrën e tij në Prishtinë, sepse ai po lufton për t’i mbuluar kostot e karburantit për një gjenerator që kur autoritetet prezantuan reduktimet e energjisë elektrike, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
“Zakonisht paguaj rreth 300 euro për faturën time të energjisë elektrike, por tani po shpenzoj 100-110 euro në ditë për të blerë naftë për gjeneratorin”, tha Gashi, duke folur nga furra e tij ku i ka 10 punëtorë.
Shumë biznese dhe familje në Kosovë kanë nxjerrë gjeneratorë portativë të energjisë që kur kompania e shpërndarjes së energjisë në vend, KEDS, njoftoi javën e kaluar se do të prezantojë reduktimet e energjisë elektrike prej dy orësh deri në njoftimin e radhës.
Vendet në të gjithë Evropën po përballen me rritje të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike, pjesërisht për shkak të rritjes së kërkesës në mes të rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia. Kjo është përkeqësuar në Kosovë, ku prodhimi i ulët vendor, për shkak të defekteve teknike dhe motit të ftohtë që rëndon një pjesë të prodhimit në termocentralet në gjendje të keqe, po e detyron vendin të importojë shumë më tepër energji se normalja.
Të premten, qeveria shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për 60 ditët e ardhshme, e cila do t’i lejojë asaj të ndajë më shumë para për importet e energjisë dhe ndoshta të prezantojë masa edhe më të ashpra dhe më shumë ndërprerje të energjisë,transmeton Gazeta Express.
Kryeministri Albin Kurti tha se çmimet e importit janë rritur deri në 515 euro për MWh, nga 70 euro sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për qytetarët e Kosovës çmimi është 6 cent për kWh, më i liri në Evropë pasi tarifat shtëpiake janë shumë të subvencionuara.
“Në këtë situatë kemi dy zgjidhje; ndërprerje të energjisë ose rritje të çmimeve”, tha të dielën Kurti, qeveria e të cilit ndau 40 milionë euro shtesë për importin e energjisë elektrike.
Kosova e prodhon shumicën e energjisë së saj nga dy termocentrale të vjetra me qymyr jashtë Prishtinës, dhe normalisht importon 10-15% të energjisë së saj, por kjo shifër është rritur në 40% gjatë krizës aktuale.
“Si pasojë, Kosova po importon energji që nuk ishte planifikuar në tregje”, i tha Reuters me email Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E), i cili përfaqëson operatorët e transmetimit të energjisë elektrike në mbarë Evropën, duke shtuar se kërkesa e tepërt e Kosovës mund ta kërcënojnë furnizimin në të gjithë Evropën, transmeton Express.
“Operatorët e Sistemit të Transmisionit në Grupin Rajonal të ENTSO-E për Evropën Kontinentale (RGCE) i kërkon KOSTT-it (operatorit të sistemit të transmisionit të Kosovës) ta mbajë në ekuilibër sistemin e tyre kombëtar të energjisë elektrike, i cili është një detyrim thelbësor kontraktual ndaj OST-ve të tjera në Evropën Kontinentale”, tha ENTSO-E.
Termocentralet e vendit të vogël ballkanik ushqehen nga linjiti, një qymyr i butë që prodhon ndotje veçanërisht toksike kur digjet.
Shifrat zyrtare tregojnë se Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë prej 12-14 miliardë tonë. Por mbështetja e saj në karburantin e ndotur, së bashku me paqëndrueshmërinë politike, i ka mbajtur larg investitorët e huaj që nga fundi i luftës në 1999, duke e bërë të vështirë përmirësimin e infrastrukturës së saj energjetike.
“Sido që të jetë vendimi i qeverisë, për të riparuar ndonjë njësi të termocentraleve aktuale apo për të ndërtuar një termocentral të ri me qymyr, do të duhen së paku pesë vjet”, tha Trim Ternava, drejtor i Jaha Solar me bazë në Kosovë, e cila prodhon energji me panele diellore.
Duke qenë se kriza energjetike nuk tregon asnjë shenjë të lehtësimit, Gani Fazlia, i cili rregullon gjeneratorët, nuk mund të vazhdojë me bumin në biznesin e tij.
“Unë marr të paktën 15 gjeneratorë për t’i rregulluar në ditë, por që një njeri të bëjë gjithçka është e pamundur. Unë mund t’i rregulloj vetëm pesë ose gjashtë”, thotë Fazlia, ndërsa dy klientë që kanë sjellë gjeneratorët e tyre të vjetër për t’i rregulluar presin jashtë dyqanit të tij.
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...