Kurti: Progresi i qëndrueshëm është ai i cili i bën bashkë demokracinë dhe shkencën

09:42 | 28 Dhjetor 2021
V. S.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në Seminarin e dytë shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Kurti foli për rëndësinë e arsimit cilësor, digjitalizimit në arsim dhe në shërbime publike si dhe hulumtimin dhe inovacionin.

Ai tha se arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror, dhe se rritja në cilësi kërkon transformim në të gjitha nivelet e arsimit. Ndërsa digjitalizimin në arsim e sheh si komponent kyç të reformës në këtë sektor, me ç‘rast përmendi drejtimet kryesore të digjitalizimit në kuadër të planit strategjik të arsimit si krijimi dhe funksionalizimi i një platforme digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuar, prodhimin e materialeve digjitale dhe krijimin e mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin dhe përdorimin e teknologjisë në arsim.

Përpos përmirësimin dhe avancimin e sistemit arsimor, nëpërmjet transformimit digjital dhe e-qeverisjes, ne po synojmë rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimin e të gjitha shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve, u shpreh kryeministri Kurti. Progresi i qëndrueshëm është ai i cili i bën bashkë demokracinë dhe shkencën, shtoi ai.

Për këtë transformim kërkohet një angazhim i përbashkët dhe i koordinuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Andaj ky seminar është një mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku, edhe me hulumtuesit tanë në diasporë, për zhvillimin e aftësive digjitale, promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, si domosdoshmëri për rimëkëmbje të qëndrueshme, u shpreh në fund të fjalës së tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në kuadër të këtij seminari prezantuan profesor dhe shkencëtarë të dalluar, bashkatdhetarë tanë dhe shkencëtarë nga FIEK. Tematikat e prezantimeve ndërlidheshin me fushat e elektronikës, automatikës, robotikës, elektroenergjetikës, inxhinierisë kompjuterike dhe softuerike, teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari rektor i Universitetit të Prishtinës, Prof. Naser Sahiti,

I nderuari dekan i fakultetit të inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike Prof. Isak Shabani,

E nderuar Ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,

I nderuar Zëvendësministër i Ekonomisë, dyfish koleg i imi, Mentor Arifaj,

Të nderuar student, hulumtues e profesorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi për mua t’i drejtohem seminarit të dytë shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës dhe rritja e cilësisë në arsim kërkon transformim në të gjitha nivelet e arsimit.

Digjitalizimi në arsim është një komponent kyç i reformës në këtë sektor. Ai synon të përmirësojë cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet; dhe, të sigurojë që trendet globale të prezantohen me shpejtësi te fëmijët dhe rinia në Kosovë. Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit sa më të shpejtë të shkollave tona. Në kuadër të planit strategjik të arsimit kemi përcaktuar këto drejtime kryesore të digjitalizimit:

– Krijimin dhe funksionalizmin e një platforme digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuar.

– Përgatitjen dhe prodhimin e materialeve mësimore digjitale shumë-dimensionale e cilësore për nivele, klasë, lëndë e lloje të ndryshme.

– Furnizimin e institucioneve arsimore me rrjete të internetit cilësor dhe me pajisje teknologjike të nevojshme.

– Kultivimin e kompetencës digjitale te të gjitha palët e përfshira dhe te të gjitha institucionet arsimore, të të gjitha llojeve dhe niveleve, dhe

– Krijimin e mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin e digjitalizimit dhe përdorimin e teknologjisë.

Hulumtimi dhe inovacioni janë po ashtu shtylla të rëndësishme për zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Jemi duke ndërmarrë veprime në disa drejtime për të përmirësuar mjedisin për kërkim dhe inovacion:

– Është nënshkruar marrëveshja me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Horizon Europe”. Me këtë, Kosova fiton statusin e asociuar në program me të drejta të plota. Ky është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe të inovacionit me buxhet të përgjithshëm prej 95.5 miliard euro. Programi bën të mundur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit, duke mbështetur zbatimin e politikave të Bashkimit Evropian dhe duke adresuar sfidat globale të njerëzimit përmes kërkimit dhe inovacionit.

– Jemi të përkushtuar që duke u bazuar në marrëveshjen qeveritare me GIZ-in gjerman të angazhohemi për Parkun për Inovacion dhe Trajnime në Prizren. Njësoj edhe të Qendrës për Ekselencë Digjitale në kuadër të saj, që të krijojmë edhe një “hub” (nyje) për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit në vendin tonë.

– Është finalizuar qendra e të dhënave e KREN (Kosova Research and Education Network) dhe lidhja e saj me GEANT – rrjetin pan-evropian për kërkim dhe arsim. Lidhja me GEANT e institucioneve të larta arsimore, sjell qasje në punime shkencore e kërkimore ndërkombëtare.

– Me ndihmën e projektit HERAS+, është duke u zhvilluar sistemi i informacionit për shkencë dhe inovacion (KRIS) i cili do të ofrojë informacion të plotë për veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe inovacionin në vendin tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Digjitalizimi i gjithmbarshëm është një nga objektivat kyçe të programit tonë qeverisës dhe parashihet të jetë pjesë e të gjitha shtyllave në Strategjinë e re Kombëtare të Zhvillimit. Në agjendën digjitale 2030, si agjendë horizontale në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, jemi duke përcaktuar orientimet strategjike për digjitalizim në të gjithë sektorët e qeverisjes dhe ekonomisë së vendit tonë.

Ne synojmë të përdorim transformimin digjital si shtytës për të përmirësuar e avancuar administratën publike, sistemin arsimor, sektorin e shëndetësisë, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes. Teksa hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët, një nga orientimet kyçe është të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit në të gjithë sektorët.

Përmes zhvillimit të e-qeverisjes synojmë rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimit të shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Me digjitalizim është i ndërlidhur reformimi dhe modernizimi i administratës publike, si dhe do të krijohen shërbime elektronike që në qendër e kanë qytetarin.

Ligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Tash, është hapur rruga për zbatimin e identifikimit elektronik dhe të nënshkrimit elektronik. Së shpejti do të mundësohet ofrimi i shërbimeve të plota elektronike, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga sektori privat.

Pagesat elektronike, lansimi i të cilave bëhet nesër, do të ofrojnë një komponent tjetër, përbërës të rëndësishëm të shërbimeve të e-qeverisjes.

Qeveria do të bëjë punën e saj në zhvillimin dhe promovimin e digjitalizimit në vendin tonë. Por, transformimi digjital i vendit kërkon një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të sektorit publik, sektorit privat dhe sistemit arsimor. Ne duam të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë në arritjen e objektivave të përbashkëta të zhvillimit të vendit tonë.

Ky seminar është një mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku, edhe me hulumtuesit tanë në diasporë, për zhvillimin e aftësive digjitale, promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, si domosdoshmëri për rimëkëmbje të qëndrueshme, e si rruga më e mirë drejt zhvillimit.

Progresi i qëndrueshëm është ai i cili i bën bashkë demokracinë dhe shkencën.

Ju përgëzoj për organizimin dhe ju uroj seminar të suksesshëm.

Ju faleminderit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme