Mehmeti: Hetimet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan ende nuk janë në fazën përfundimtare

11:47 | 24 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare.

Mehmeti theksoi se janë duke i pritur edhe disa rezultatet të ekspertizave të dërguar jashtë vendit.
Drejtori Mehmeti, duke iu përgjigjur kryetarit të Komisionit, Bekë Berisha për vrasjet e pazbuluar për 20 vjet, theksoi se këto raste janë dorëzuar në prokurori.

“Sa përket rasteve të pazbuluara nga e kaluara, rastet janë dorëzuar në prokurori. Një pjesë të punës rreth rastit të caktuar e bartë edhe prokurori përkatës. Sa i përket rastit të fundit në Gllogjan ne kemi bërë angazhimet tona. Aktualisht jemi duke punuar, për këtë rast kemi edhe arrestime. Hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare. Hetimet janë ende në një fazë të caktuar, s’mundemi me thënë në fazën fillestare, por kanë bërë disa progrese, jemi duke i pritë edhe disa ekspertiza të cilat i kemi dërguar jashtë vendit, jemi rezultatet duke i pritë. Po ashtu janë duke u pritë edhe disa rezultate të tjera të cilat ndërlidhen me çështjet e ndryshme teknike. Aktualisht mendoj që kemi kryer një pjesë të punës pas këtij rasti, mirëpo mbetet ende për të punuar”, theksoi Mehmeti.

Sjellim në vëmendje që 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit ndodhi një sulm ndaj autobusit që po udhëtonte nga Gjakova për në Gllogjan. Aty mbetën të vdekur tre persona, dy prej tyre nxënës dhe shoferi i autobusit.

Për të cilin rast, më 11 dhjetor u arrestua baba me dy djemë.

Arrestimin e tre personave e bëri të ditur kryeprorkurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj në një konferencë të jashtëzakonshme që u mbajt mbrëmjen e 11 dhjetorit.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit Kurmehaj nuk pati dhënë detaje, duke i qenë shumë i shkurtër në paraqitjen para medieve e ku gazetarët nuk u lejuan të bëjnë pyetje./ATV/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme