Google ADS

Putin: Rusia ka nevojë për garanci ‘të menjëhershme’, nuk dëshiron konflikt

12:58 | 23 Dhjetor 2021
V. S.

Rusia dëshiron të shmangë konfliktin me Ukrainën dhe Perëndimin, tha të enjten presidenti rus, Vladimir Putin, duke kërkuar një përgjigje “të menjëhershme” nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ndaj kërkesës së Moskës për garanci sigurie.

“Kjo nuk është zgjedhja jonë (e preferuar), ne nuk e duam këtë”, tha Putin në konferencën e tij vjetore për shtyp kur u pyet për mundësinë e konfliktit me Ukrainën.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ai tha se Rusia kishte marrë një përgjigje fillestare përgjithësisht pozitive ndaj propozimeve të sigurisë që ia dorëzoi Shteteve të Bashkuara këtë muaj dhe se negociatat do të fillonin në fillim të vitit të ardhshëm në Gjenevë.

“Shpresoj se zhvillimi i situatës do të vazhdojë në këtë rrugë”, tha ai.

Në një përgjigje të veçantë, Putini u nxeh më shumë kur kujtoi se si NATO e kishte “mashtruar” Rusinë me valë të njëpasnjëshme të zgjerimit që nga Lufta e Ftohtë dhe tha se Moska kishte nevojë urgjente për një përgjigje.

“Duhet të na jepni garanci dhe menjëherë – tani”.

Rusia hedh poshtë akuzat e Ukrainës dhe të SHBA-së se mund të jetë duke përgatitur një pushtim të Ukrainës që në fillim të muajit të ardhshëm.

Vendi thotë se ka nevojë për premtime nga perëndimi – duke përfshirë një premtim për të mos kryer aktivitet ushtarak të NATO-s në Evropën Lindore – sepse siguria e saj kërcënohet nga lidhjet në rritje të Ukrainës me aleancën perëndimore, si dhe nga mundësia që raketat e NATO-s të vendosen kundër saj në territorin ukrainas.

“Ne thjesht shtruam pyetjen se nuk duhet të ketë më lëvizje të NATO-s në lindje. Topi është në fushën e tyre, ata duhet të na përgjigjen me diçka”, tha Putin. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme