Google ADS

Itali, goditet banda e shqiptarëve që vidhnin dyqanet luksoze të veshjeve, mes të arrestuarve edhe dy gra

23:08 | 22 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Policia italiane në Pordenone arrestoi dy gra dhe tre burra, të gjithë me kombësi shqiptare, përgjegjëse për dhjetëra vjedhje në qendrat tregtare në të gjithë Italinë, të specializuar në një teknikë të veçantë që aplikonin mbi të gjitha në dyqanet ‘H&M’.

Mediat fqinje shkruajnë se banda vinte çdo herë nga Shqipëria, merrte makina me qira dhe kryente një sërë vjedhjesh me të njëjtin sistem të testuar për disa ditë, më pas kthehej në vendin e tyre.

Arrestimet dhe ndalimet u vërtetuan nga gjyqtari hetues pranë Gjykatës së Pordenones. Gjithashtu janë sekuestruar mallra me vlerë rreth 8 mijë euro, të ardhura të vjedhjes.

Hetimet

Hetimet nisën shtatorin e kaluar pas denoncimit të avokatit të H&M për një sërë vjedhjesh veshjesh në dyqanin Gran Fiume (Pordenone). Prokuroria Publike e Pordenones ka nisur hetimet, duke kryer edhe analiza të përgjimeve dhe trafikut celular, e cila identifikoi bandën.

Vetëm në muajt shtator deri në dhjetor dhe vetëm në Fvg dhe Veneto, banda dyshohet se ka kryer të paktën 14 vjedhje. Hetimet zbuluan se gratë hynin në dyqane dhe pasi i hiqnin rrobat nga varëset, më pas i fshihnin mes rafteve ku i gjenin dy burra. Ata i dshihnin më pas në karrocat tregtare të pajisura me pajisje kundër vjedhjes.

Personi i tretë shërbente si vëzhgues jashtë dyqaneve. Banda ka kryer disa vjedhje gjatë një dite. Po vijojnë hetimet për identifikimin e kanaleve të marrjes së mallit që kishin destinacion shitjen jashtë vendit.

Të pestë personat u arrestuan në momentin që po kryenin vjedhje në qendrën tregtare l’Adriatico 2 në Portogruaro. Ata u mbyllën në burgjet e Padovës, Veronës dhe Venecias./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme