KDI dënon përdorimin e gjuhës dhe sjelljet joparlamentare në Komisionin për Bujqësi

10:48 | 22 Dhjetor 2021
A. B.

Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se mbledhja e së martës e Komisionit parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku ishte duke raportuar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është zhvilluar në frymë të acaruar, mes deputetëve të opozitës gjegjësisht deputetes Ganimete Musliu nga PDK dhe ministrit Faton Peci.

Në reagimin e KDI-së thuhet se mbledhja është përcjellë me akuza të ndërsjella, me ç’rast deputetja Musliu ka përdorur gjuhë fyese dhe ka hedhur ujë në drejtim të ministrit.

“Pas këtij veprimi, kryetarja e Komisionit ka ndërprerë për pak minuta takimin që ishte duke u zhvilluar. Kjo përplasje ishte vazhdimësi e një debati të ashpër të zhvilluar mes deputetes dhe ministrit në fjalë në seancën e fundit plenare në kohën e pyetjeve parlamentare për çështjen e dhënies së disa granteve bujqësore nga Ministria”, thuhet në reagim.

KDI dënon çfarëdo veprimi qoftë gjuhë apo sjellje joparlamentare të deputetëve, si formë e zgjidhjes së mospajtimeve politike.

“Ju rikujtojmë deputetëve, në këtë rast edhe ministrave se Kuvendi duhet të shërbej si platformë e diskutimeve përmbajtësore në mes të partive politike pavarësisht taborit të cilit i përkasin duke hequr dorë nga gjuha joparlamentare dhe përplasjet politike.Duke marrë parasysh përdorimin e shpeshtë të gjuhës dhe sjelljeve jo parlamentare nga ana e deputetëve në Kuvend, KDI në vazhdimësi ka kërkuar që të fillojë procesi i draftimit të Kodit të Etikës, ku duhet të përfshihen sanksione disiplinore ndaj deputetëve që pengojnë mbarëvajtjen e punimeve dhe atyre që përdorin gjuhë apo sjellje joparlamentare”, thuhet në reagimin e KDI-së. /arbresh.info/

Lexo edhe:

https://www.arbresh.info/lajmet/3-ndaq-gjuani-me-uje-ndaq-me-plumba-sic-keni-gjuajtur-20-vjet-ministri-peci-sqarohet-per-deklaraten/

 

Të ngjashme