Ish-gjyqtari i njohur anglez: Robertson është me fat që mund të ecë ende

08:45 | 21 Dhjetor 2021
A. B.

Ish-gjyqtari i Premierligës, Mark Clattenburg, e ka kritikuar ashpër referimin në barazimin e Tottenhamit me Liverpoolin të dielën, duke thënë se Andy Robertson është me fat që mund të ecë ende.

Mbrojtësi anësor skocez ishte viktimë e një ndërhyrjeje të ashpër dhe të rrezikshme me take nga Harry Kane.

Gjyqtari i asaj ndeshjeje, Paul Tierney, i dha vetëm karton të verdhë sulmuesit anglez Kane dhe më vonë në ndeshje e përjashtoi Robertsonin direkt me karton të kuq për një ndërhyrje ndaj Emerson Royal e cila u rishikua në VAR.

“Mendoj se ndërhyrja e Kane ishte më e ashpër se e Robertsonit”, tha Clattenburg.

Një ndër arsyet pse Kane i shpëtoi përjashtimit ishte fakti se Robertson e kishte larguar me kohë këmbën nga ndërhyrja e sulmuesit të Spurs.

“Të dëgjoj se Robertsoni duhet të qëndrojë në këmbë (gjatë ndërhyrjes) më tmerron, sepse nëse e bën atë atëherë ai nuk do të ecë në këmbët e veta këtë Krishtlindje”, theksoi Clattenburg.

“Nëse nuk beson se ky ishte një gabim i qartë dhe i dukshëm i Kane, atëherë nuk je duke e bërë punën tënde sic duhet. Mendoj se ne, si gjyqtarë, jemi fajtorë nganjëherë që i dimë ligjet e lojës por nuk e kuptojmë lojën”, shtoi ai.

“VAR-i nuk mund të gabojë në këtë rast. Gjyqtarët mund të gabojnë, sepse e kanë një sekondë për të menduar. VAR-i mund ta shohë rastin nga çdo kënd, në xhirim të ngadalësuar dhe mund ta shohë pikën e kontaktit”.

“Robertson është me fat që mund të ecë ende”, përfundoi ai.

Clatternburg, i cili i kaloi 13 vjet si gjyqtar në Premierligë nga viti 2004 deri më 2017, tani është shef i referimit në Greqi./GE/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme