Balaj (LVV): Nëse deri më 3 janar nuk konstituohet Kuvendi Komunal i Podujevës, mund të shkohet në zgjedhje

00:51 | 18 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës Pajtim Balaj ka thënë se partitë opozitare atje nuk e kanë lejuar mbajtjen e seancës së sotme.

Ai, në Edicionin Special të Klan Kosovës, ka deklaruar se nëse nuk konstituohet kuvendi deri më 3 janar, Kuvendi Komunal i Podujevës mund të shkojë në zgjedhje.

“Siç e do rendi, ne pasi jemi parti fituese, e thirrëm seancën e kuvendit. Nga kjo seancë pritëm të konstituohet kuvendi, të zgjidhet kryesuesi i kuvendit dhe të formohet komiteti për politikë dhe financa”.

“Kjo për të pasur mundësinë që më pas të procedojmë tutje çështje të rëndësishme dhe jetike për komunën. Pasi ato kanë mbetur në gjysmë, siç është votimi i buxhetit, votimi i hartave zonale, si dhe votimi i shumë pikave të tjera”.

“Pa ndonjë arsye bindëse të prirë nga LDK-ja, më pas pasuan PDK-ja dhe AAK-ja, e gjithë opozita e braktisi seancën, kështu e pamundësuan mbajtjen e seancës. Proceduralisht nëse nuk zgjidhet kryesuesi, nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më 3 janar, Kuvendi i Podujevës mund të shkojë në zgjedhje”,ka thënë Balaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme