Google ADS

Dida: “S’kemi zgjidhje tjetër përveç kursimit të rrymës”

01:01 | 17 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Ish Zëvendësministri i Energjisë dhe Minierave, Agron Dida, deklaroi se kriza energjetike ka qenë prezente prej kohës kur ai ishte në krye të detyrës.

Sipas tij, nevoja për qymyr te ne nuk është në rënie e sipër dhe se centralet tona e kanë kaluar jetën e tyre teknike.

Në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, Dida deklaroi se i është gëzuar lajmit që do të rehabilitohen blloqet edhe për disa vjet dhe se ka iniciativa për energji të ripërtëritshme.

“Ne kemi pajisje teknologjike që e kanë tejkaluar jetën dhe çdo moment mund të presim ndonjë bllokadë. Sikur makina e vjetër që kurrë nuk e dini se kur mund t’ju lë”, tha ai.

Ndërkaq lidhur me çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike, Dida u shpreh se kjo lidhet edhe me faktin që Rusia po bën presion ndaj vendeve të Evropës me reduktimin e liferimit të gazit, dhe kjo pastaj shkakton problem zinxhiror që ndikon në ngritjen e çmimit të energjisë.

“Kjo erdhi pas ardhjes në pushtet të presidentit Biden, i cili ftohu raportet me Rusinë. Ka ndodhur shumë shpejt dhe nuk e fajësoj KOSTT-in sepse s’ka mundur ta planifikojë”, shtoi ai.

Ish Zëvendësministri i Energjisë dhe Minierave deklaroi se e vetmja gjë që na ka mbetur ne qytetarëve është që të mësojmë të kursejmë seriozisht energjinë elektrike, aty ku mundemi.

“Për shembull me e ndalë bojlerin, të mos lahemi bash çdo ditë ose të mos e harxhojmë krejt bojlerin. Shumë mund të arrihet me kursim. Nuk na ka mbetur zgjidhje tjetër, po me vjen keq. Duhet të solidarizohen qytetarët dhe ta kursejnë energjinë elektrike”.

“Kursimi mund të bëhet edhe duke i fikur bojlerët atëherë kur nuk përdoren, pastaj të zvogëlohet numri i bojlerëve në shtëpi, pra i bie që të reduktohet standardi dhe komoditeti”.

Dida po ashtu e konfirmoi deklaratën e kryeministrit Kurti që në të kaluarën ka pasur keqpërdorime në KEK, duke thënë se në kohën kur ai ishte zëvendësministër ka parë me sytë e tij se si nga një minierë dilnin kamionë me mbeturina të hekurit, të cilat nuk i kontrollonte askush.

“Ka pasur raste që janë hapur tenderë me nga 2-3 herë për të blerë pajisje për miniera, ndërsa pajisja ka qenë në depo dhe hapej tenderi që ajo të blihej sa e sa herë”.

Të ngjashme