Google ADS

Haxhiu i reagon Kurtit: Sonte pajtohem se ky njeri karrierën politike e ka ndërtuar nën “Batanije”

22:53 | 15 Dhjetor 2021
L G

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, është prononcuar pas konferencës së kryeministrit Albin Kurti, i cili kur tregoi se mbrëmë është ngrohur me batanije, tha se shpreson që Bekim Haxhiu të mos thërras konferencë për media.

Haxhiu tha se batanija e Klinës në Binqe dhe Batanija e Albin Kurtit në shtëpinë e tij kanë të njëjtin mision: Degradimin e Kosovës në të gjitha sferat e saj.

“Shqetësimi im dhe i juaji se në këto ditë të ftohta dimri po hyjmë në një krizë energjetike është shumë i madh. Në anën tjetër kryeministri i Kosovës del dhe tallet me popullin duke ju kërkuar të ngrohen me batanije”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

“Edhe pse kurrë s’jam pajtuar me rrenat e Albin Kurtit sonte pajtohem se ky njeri karrierën politike e ka ndërtuar nën “Batanije”, u shpreh tutje deputeti.

“Pra kur unë në vitin 2014 e kisha publikuar takimin e Albin Kurtit me agjentët serbë të BIA-s, në fshatin Binqe të Klinës, pak kush e besonte, sonte Albin Kurti e dëshmoi vet, në konferencë për media”.

“Në vend të talljes me popullin punoni për ta zgjidhur problemin, në të kundërtën nuk rrijmë nën batanije duke dëgjuar “perlat” e juaja, por do tu dërgojmë në shtëpi e pastaj vërtetë do të detyroheni ta mbuloni fytyrën e mashtrimit nën batanije”, përfundoi Haxhiu.

Të ngjashme