Google ADS

PDK kërkon të shpallet gjendje emergjente e furnizimit me energji

17:47 | 15 Dhjetor 2021
L G

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, është paraqitur në një konferencë për media për situatën e krizës energjetike në vend.

Sipas tij, Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e krizës energjetike.

Stavileci tha për krizën energjetik se gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa ka përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, “ndërsa Qeveria e Kosovës është treguar neglizhente dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta adresuar këtë krizë, e cila afrohej me shpejtësi”.

“Paralajmërimi ynë se kjo krizë e kërcënon seriozisht furnizimin e rregullt dhe me çmime të përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare doli realitet, ndërkaq Qeveria, jo që nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, por, përkundrazi, aq shumë e ka neglizhuar situatën sa që çdo ditë po shohim duke kolapsuar një pjesë e sistemit, siç ndodhi sot edhe me ngrohtoren e kryeqytetit”, tha Stavileci.

Sipas tij, “kjo situatë përkeqëson mirëqenien e familjeve dhe reflekton negativisht në xhepin e secilit konsumator si rezultat i shtrenjtimit të të gjitha produkteve. Po ashtu, rrezikon t’i dëmtojë shumë rëndë bizneset kosovare që edhe ashtu ende nuk e kanë marrë veten nga kriza e pandemisë”.

Tutje Stavileci propozoi në emër të PDK-së që: “Të shpallet gjendje emergjente e furnizimit me energji, sipas Ligjit për Energji, neni 25.-Të vendoset çmimi tavan për tregun e brendshëm dhe devijimet nga ky çmim të subvencionohen nga qeveria. -T’i kthejë në konsumatorë të rregulluar të gjithë ata të cilët janë në tregun e lirë, me qëllim që të bëhet socializimi i kostos së tyre të importit të energjisë për periudhën sa kjo krizë do të jetë prezente. T’i hiqet tantiema në qymyr KEK-ut dhe proporcionalisht të ulet çmimi i shitjës së kësaj Korporate me qëllim që ky përfitim të bartet tek konsumatori final. Të trajtohet me prioritet debllokimi i linjave të transmetimit me Serbinë (të cilat janë bllokuar nga dhjetori i vitit të kaluar) në mënyrë që të evitohen kostot e larta të transmisionit, si dhe të lehtësohet tregtimi me energji”.

Të ngjashme