Rrihet gazetarja në Tiranë

16:57 | 14 Dhjetor 2021
A. B.

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht dy persona pasi goditën një gazetare në Tiranë duke e penguar që të kryejë detyrën e saj.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë në rrugën “Hoxha Tahsin” në Tiranë, kur gazetarja e një emisioni investigativ kishte shkuar me grupin e xhirimit për të kryer një raportim në lidhje me një ndërtim pa leje.

Kjo e fundit u gjend aty pas denoncimit të një personi të përfshirë në konflikt me një palë tjetër për ndërtimin në fjalë.

Teksa po kryente intervistat, sipas policisë kanë ndërhyrë dy persona, një 50 vjeçar dhe një tjetër 62 vjeçar duke e goditur atë në krye të detyrës. Këta të fundit nuk kanë lejuar edhe që gazetarja të kryejë detyrën e saj.

Fill pas ngjarjes, gazetarja 24-vjeçare ka bërë denoncim në polici në lidhje me dy personat në fjalë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan penalisht shtetasit T. N., 62 vjeç dhe A. Z., 50 vjeç, pasi në rrugën “Hoxha Tahsim”, kanë goditur dhe kanë penguar për ushtrimin e detyrës, shtetasen B. D., 24 vjeçe, me detyrë gazetare, e cila kishte shkuar për të filmuar në një objekt ku shtetasi T. N., dhe A. Z., kishin një konflikt pronësie me një person tjetër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme