Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka mirëpritur opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me draft-amandamentimin e Ligjit për KPK-në. Përmes një njoftimi për media, nga KPK po thonë se do të mbeten të përkushtuar që të punojnë në drejtim të zbatimit të plotë të Strategjisë së Sundimit të Ligjit.
Më tutje, në njoftimin e KPK-së thuhet se opinioni siguron ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e sistemit prokurorial duke ritheksuar se iniciativat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Ligjin për KPK-në, me këto propozime janë në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare.
Komisioni i Venecias i ka hedhur poshtë dispozitat kryesore të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të përgatitur nga Qeveria. Në opinionin e publikuar të hënën, Komisioni i Venecias e ka konsideruar të rrezikshëm planin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.
Komisioni i Venecias thotë se reforma që Qeveria planifikon ta bëjë në sistemin prokurorial nuk duhet të çojë në nënshtrimin e Këshillit Prokuorial ndaj shumicës qeverisëse.
“Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj mazhorancës qeverisëse. Projekt amandamentet propozojnë që të gjithë anëtarët e pavarur të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ky propozim rrit rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në dhe duhet rishqyrtuar”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.
Komisioni i Venecias thekson se duhet të sigurohet që komponenti bazë i KPK-së të jetë mjaftueshëm pluralist, në mënyrë që anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse në Kuvend, nuk do të mund të udhëheqin të vetëm.
Organi që interpreton dhe këshillon mbi probleme rreth demokracisë dhe ligjit, i konsideron të panevojshme propozimet e përgatitura nga Qeveria e Kosovës për ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial.
Në opinionin e Komisionit të Venecias rekomandohet zgjedhja e anëtarëve të pavarur të Këshillit Prokurorial vetëm me një shumicë më të madhe sesa shumica qeverisëse në Kuvned. Kësisoj, Komisioni i Venecias këshillon që anëtarët të pavarur të KPK-së të mos dalin nga Kuvendi i Kosovës, por nga institucionet e jashtme të pavarura apo shoqëria civile
Njoftimi i plotë:
Opinioni i Komisionit të Venecias siguron pavarësinë e sistemit prokurorial
Prishtinë, 14 dhjetor 2021 – Këshill Prokurorial i Kosovës (KPK) mirëpret opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me draft-amendamentimin e Ligjit për KPK-në.
Ky opinion siguron ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e sistemit prokurorial duke ritheksuar se iniciativat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Ligjin për KPK-në me këto propozime janë në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare.
Në opinion, përkatësisht në pikën 49, theksohet se procedura e zgjedhjes së anëtarëve laik (që nënkupton edhe iniciativën e zgjedhjes së anëtarit prokuror nga Kuvendi i Kosovës) është shumë e ndërlikuar, e paqartë dhe krijon mundësi për manipulime.
Komisioni i Venecias në pikën 57 të këtij opinioni, ngreh dy shqetësime kryesore; Një “Këshill i “reduktuar” që do të përbëhej ekskluzivisht prej anëtarëve laik (duke përfshirë edhe prokurorin të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës) do të ketë të njëjtin pushtet si Këshilli Prokurorial i Kosovës me përbërje të plotë, dhe më e rëndësishmja se ai do të vendosë për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit që do të bëhet në fillim të vitit 2022.
Çështja e dytë është se i njëjti “Këshill i reduktuar” me përfaqësues laik do të sigurojë kontroll të plotë në komisionin zgjedhor që mbikëqyrë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit nga kolegët e tyre.
Sipas mendimit të Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, dhe këto ndryshime propozojnë largimin e prokurorëve nga qeverisja e sistemit prokurorial në momentin më kritik kur do të zgjedhet Kryeprokurori i Shtetit dhe anëtarët prokurorë nga radhët e tyre.
Ndërsa, sa i përket shkëputjes së mandatit të anëtarëve aktual të KPK-së, Komisioni i Venecias në pikën 54, rithekson se ndërprerja e mandatit të parakohshëm të një anëtari të Këshillit (kur nuk vjen për shkak të dorëheqjes vullnetare, shfuqizimit të tërë institucionit ose për arsye të tjera të ngjashme) duhet të lidhet gjithmonë me një keqbërje të identifikueshme ose dështim në ushtrimin e detyrës së tij ose të saj. Anëtarët e KPK-së nuk duhet të “fajësohen” thjeshtë sepse shumica parlamentare ose kolegët e tyre nuk pajtohen me vendimet që ata marrin.
Po ashtu, në konkluzionet e opinionit, në pikën 71, shprehimisht thuhet se reforma nuk duhet të qoj në nënshtrimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj shumicës qeverisëse e që propozimi i Ministrisë së Drejtësisë rritë rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në.
Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar që të punojë në drejtim të zbatimit të plotë të Strategjisë së Sundimit të Ligjit e cila ruan pavarësinë institucionale dhe synon të avancojë forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. /arbresh.info/
Bajram Shala: Pati edhe racizëm dhe sjellje racore, hera e d...
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend
Raporti i KE: Ekonomia shqiptare vazhdon trendin e fortë të ...
Media rumune i quan gjeste të turpshme disa nga veprimet e f...