Bashkimi Evropian duhet që ta sanksionojë liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik për përpjekjet e tij për t’u shkëputur nga Bosnje e Hercegovina, tha të hënën ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Baerbock, që mori postin e ministres së Jashtme javën e kaluar, u tha gazetarëve në Bruksel, se situata në Bosnje dhe Hercegovinë është “shqetësuese” dhe se përpjekjet e Dodikut që Republika Sërpska të shkëputet nga Bosnja, ishin “të papranueshme”.
“Për mua personalisht kjo nënkupton që regjimi ekzistues i sanksioneve duhet të përdoret dhe kundër zotit Dodik”, tha ajo pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku ajo bëri presion për sanksionimin e Dodikut.
Komentet e saj vijnë pasi të premten, më 10 dhjetor, Asambleja e Republikës Sërspak miratoi një sërë hapash, që fuqizojnë një nismë për të transferuar disa kompetenca nga institucionet shtetërore, pavarësisht se Perëndimi ka paralajmëruar Republikën Sërpska kundër veprimeve të tilla.
Shtetet e Bashkuara veçse kanë vendosur ndalesë udhëtimi ndaj Dodikut dhe ia kanë ngrirë asetet. Po ashtu, Uashingtoni e ka kërcënuar Dodikun se do t’i vendosë edhe sanksione të tjera, nëse ai vazhdon të bëjë veprime që dobësojnë institucionet qendrore të Bosnjës, raporton rel.
Ideja që BE-ja të vendosë sanksione ndaj Dodikut ka mbështetjen e shumicës së 27 anëtarëve të bllokut, por vendimi për t’ia ngrirë asetet dhe për t’i vendosur ndalesa në udhëtime duhet të jetë unanim, dhe një vendim të tillë po e kundërshtojnë Hungaria dhe Sllovenia.
Në luftën e Bosnjës në vitet 1992-1995 u vranë mbi 100,000 persona dhe miliona të tjerë mbetën pa shtëpi. Kjo luftë konsiderohet si lufta më e përgjakshme në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore. Lufta nisi pasi serbët e Bosnjës, me mbështetjen e ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga serbët, tentuan që të krijonin territore të pastra etnike në Bosnje dhe qëllimi ishte që më pas serbët e Bosnjës t’i bashkoheshin Serbisë.
Fillojnë trajnimet për noterët e rinj, Haxhiu iu uron sukses...
Hetimi i brendshëm konstaton mangësitë në atentatin ndaj Tru...
Begaj në Ditën e Paqes: Bota është trazuar në mungesë të saj
Sulmuan fizikisht zyrtarët policorë, arrestohen tre persona ...
Sekuestrohen barna pa banderola me vlerë 1500 euro, arrestoh...
Serbia përgatit 500 trupa për ndërhyrje në veri, Shala: Nuk ...