Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, këtë të hënë deklaroi se Lulzim Basha tashmë është një deputet dhe anëtar i grupit parlamentar të kësaj partie.
Berisha e konsideroi këtë konferencë si më të veçantën nga të gjitha.
“Nga të gjitha konferencat e shtypit të karrierës time 30-vjeçare ju garantoj se kjo konferencë është me e veçanta nga gjithë të tjerat. Kjo konferencë mbahet sot pas Kuvendit Kombëtar të rithemelimit të PD-së. Ngjarje kjo absolutisht unike si monument lirie e grave, vajzave dhe burrave të lirë”, tha ai.
Ai e quajti Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit si një nga kuvendet më perëndimore në rrafshin e vlerave demokratike që sanksionoi në Kushtetutën e PD-së.
“Jehona e këtij Kuvendi, siç ishte unik në llojin e tij është e jashtëzakonshme në çdo votër dhe zemër shqiptari”, tha ai.
Ish-kryeministri Berisha u bëri edhe një thirrje të gjithë demokratëve, deputetëve dhe kryetarëve të degëve t’i bashkohen rithemelimit të partisë, duke u kujtuar atyre se vlerat dhe kontributet e dhëna nuk do të hidhen poshtë.
“Unë i ftoj të bashkohen, duke u thënë se kontributi i tyre do të vlerësohet. Vendi i tyre është aty ku janë idealet më fisnike dhe jo tek një parti, ku dy muajt e fundit, deputeti Basha e katandisi në një parti të ekstremit të majtë”, tha Berisha.
Ish-lideri historik është ndalur edhe tek mbledhja e kësaj të hënë, duke treguar se sot u miratua një komision për të drejtuar punën për organizimin e referendumit.
“Një komision u miratua sot këtu për të drejtuar referendumin, bazuar në punën e shkëlqyer që ju e patë vetë. Do bëjmë gjithçka që të afrojmë sa më shumë kutitë e votimit me anëtarësinë”, tha ai.
Berisha akuzoi Lulzim Bashën edhe për kryerjen e disa akteve që të çojnë në nivelin e një krimi elektoral. Ai tha se me urdhër të Bashës janë mbledhur kartat e anëtarësisë për votim, duke mos ua kthyer më ato.
“Ka mbledh kartat dhe nuk ua ka kthyer kartat e anëtarësisë. Ky është një akt që ngjitet në nivelin e një krimi elektoral. Nuk ka njeri që mund të pengojë duke u marrë kartat e anëtarësisë”, tha Berisha.
Berisha është ndalur edhe tek referendumi i datës 18 dhjetor, duke u shprehur se pritet një rezultat i shkëlqyer.
“Ne presim një rezultat të shkëlqyer me datë 18, sikundër ftoj çdo demokrat që atë ditë të firmosë aktin madhor të pushtetit të vullnetit të anëtarit të PD-së me normat e reja të lirisë dhe ta dënojë me injorim anti-Kuvendin e shoqatës Basha-Bardhi, si një nga turpet më të mëdha të historisë së Evropës dhe njerëzimit në rrugën e demokracisë. Unë pres që deputetët të mos bëhen bashkëpunëtor në një akt të pashembullt të pluralizmit me një vendim anti-statutor për hallin e karriges personale të Lulzim Bashës”, tha ish-lideri historik i PD-së.
Sa i përket vendimit të PD-së për të kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) disa deputetë demokratë që ishin pjesë e Kuvendit Kombëtar të mbledhur nga ish-kryeministri duke i akuzuar për falsifikim të vulave, stampave ose i formularëve, Berisha e ka krahasuar me një “akt të poshtër dhe tradhtar”.
I pyetur nëse kandidatura e tij për kryetar të PD-së bie ndesh me vlerat demokratike, Berisha theksoi se “shpallja non grata është një çështje personale e imja”.
Ish-kryeministri ka akuzuar sërish ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, duke e cilësuar si një guvernatore.
Sipas tij është shkelje flagrante që dikush të përcaktojë se kush hyn apo jo në Parlament.
Në anën tjetër, përgjatë kohës sa Berisha u fut në selinë e Partisë Demokratike, aty po zhvillohet një takim për raportimin e Grupit të Punës për zgjedhjet në Forumin Rinor të PD-së. I pranishëm në këtë mbledhje është edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Dy ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD vendosi shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka dhe anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.
Po kështu, PD miratoi me të gjitha votat një Rezolutë të Këshillit Kombëtar, duke anuluar çdo vendim të dalë nga Kuvendi i mbledhur të shtunën nga ish-lideri i PD, Sali Berisha.
Ndërsa të shtunën në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha u shkarkua Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike.
Pas ndryshimit të Statutit dhe shkarkimit të anëtarëve të Kryesisë të partisë, Kuvendi i thirrur nga Berisha do të mblidhet sërish për të mbajtur referendum./TCH
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...
Ruben Amorim tregon mesazhin që i dha Mourinho pasi mori dre...
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...
Abdixhiku në QKMF-në e Prishtinës: Prezantova planin në shën...
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të...
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen