Dëshmitari i dhjetë në rastin Mustafa: E kemi gjetë një varr me dy trupa në të

13:33 | 13 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të dhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Dëshmitari po merret në pyetje nga prokuroria, ku shumica e seancës po zhvillohet në seancë private, raporton arbresh.info

Gjatë pjesës kur seanca ishte publike, dëshmitari tregoi se ka gjetur një varrë me dy trupa në të, njërin nga ata e njihte, ndërsa tjetrin nuk e njihte.

Prokurorja: Për informim të publikut ne ishim duke diskutuar që ju gjetët një varr dhe që patë dy trupa në të, një trup e njohët, ndërsa trupin tjetër nuk e njohët, do ju kërkoj të mos përmendi emra pasi tani në seancë të hapur do të ju bëj disa pyetje në lidhje me këtë pikë.

Prokurorja: Z. Dëshmitar a mund të na tregoni hollësi që kanë të bëjnë me trupin e parë që nxorët apo zbuluat në varr, aty ku ju thatë se ishte trupi i dikujt tjetër që ju nuk e njihnit?

Dëshmitari: Në trupin e parë veç e kemi zbulu fytyrën edhe e kemi vërejt që nuk është, që është i panjohshëm dhe nuk e kemi prek ma shumë, e kemi mbulu prapë, Ndërsa në tjetrën anë, kemi gjet një trup të njohur, edhe atë, sapo e kemi vërtetu që është ai që po e kërkojmë, e kemi mbulu prapë edhe kemi shku n’shpi. Mas dy dite jemi shku me traktor edhe e kemi zbulu, e kemi marrë edhe e kemi pru në shpi, e kena varros.

Prokurorja: Në lidhje me trupin e parë që ju nuk e njohët, a ju kujtohet ndonjë hollësi lidhur me trupin e këtij personit që nuk e njihnit, ndonjë tipar i trupit ose ndoshta rrobat apo çfarë gjinie kishte personi, a ju kujtohen këto?

Dëshmitari: Dhëmbët e parë i ka pasë të gjatë edhe si të zi, tjetër kurgjo, se kena zbulu nëpër rroba apo diçka, vetëm fytyrën ja kemi zbulu.

Prokurorja: A mund të na thoni në qoftë se ishte një person me moshë të re, mesatare apo i vjetër?

Dëshmitari: Mesatare qashtu diçka.

Prokurorja: Po lidhur me ngjyrën e flokëve apo fytyrën, a ka ndonjë hollësi tjetër që ju kujtohet?

Dëshmitari: Nuk muj me thanë, veç u doke si zeshkan, kish pas fillu mu prish, u doke me kan si zeshkan, fytyrën e gjatë.

Prokurorja: A mund të na tregoni se çfarë  bëtë pasi gjetet këta dy trupa, dhe pasi i zbuluat ata pak, ju thatë që njërin e njohët dhe tjetrin nuk e njohët, çfarë bëtë më pas?

Dëshmitari: Më pas, i mbulum prap, i lam qashtu edhe erdhëm në shtëpi.

Prokuorja; Pra nuk i hoqët trupat nga aty, si e latë varrin, në çfarë kushtesh e latë varrin para se të largoheshit?

Dëshmitari: Si e kena gjetë ashtu edhe e lamë.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Në aktakuzën e konfirmuar ndaj Salih Mustafës, thuhet se ai akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./ArditëShkodra/arbresh.info/

Të ngjashme