Google ADS

Kapen mbi 187 kg kanabis, arrestohen 5 persona

13:04 | 12 Dhjetor 2021
Përparim Bublaku

73 kilogramë e 400 gramë kanabis, ndarë në 61 pako janë kapur dje në Korçë. Gjergji Mollanji, personi që kishte sasinë e drogës është arrestuar.

Në kuadër të operacionit “Restart” janë kapur deri tani 187 kilogramë e 400 gramë kanabis, ndërsa janë ndaluar 5 persona. Bëhet fjalë për të njëjtin operacion ku një muaj më parë u arrestua një avokat në Goricë.

Sipas policisë, lënda narkotike trafikohej në drejtim të Greqisë.

“Si rezultat i informacioneve të grumbulluara nga hetimet proaktive, gjatë mbrëmjes së djeshme u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, ku u bë arrestimi në flagrancë i një pjesëtari tjetër të këtij grupi kriminal konkretisht shtetasit Gj. M., 47 vjeç, banues në Korçë,” – thuhej në njoftimin e policisë.

Mollanji qarkullonte me një mjet tip “Mazda” ku pas kontrollit të imtësishëm nga policia u bë i mundur dhe sekuestrimi i kanabisit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë./euronews.a/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme