Google ADS

Mijëra njerëz protestojnë kundër vaksinimit të detyrueshëm në Austri

00:01 | 12 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Mijëra njerëz u mblodhën në Vjenë të Austrisë për të protestuar kundër vaksinimit të detyrueshëm për COVID-19 dhe vendimeve që urdhërojnë të qëndrojnë në shtëpi ata që nuk e kanë marrë ende vaksinën.

Policia tha se rreth 44,000 njerëz morën pjesë në demonstratën e së shtunës, pas një varg protestave të tjera që kur Austria muajin e kaluar u bë vendi i parë i BE-së që tha se do ta bënte të detyrueshëm vaksinimin, njofton Klan Kosova.

Masa për izolim të pjesshëm do të përfundojë të dielën për të vaksinuarit, por jo edhe për ata që s’kanë marrë dozat, të cilëve do t’u duhet të qëndrojnë në shtëpi.

“Jo vaksinimit të fashizmit”, shkruhej në njërën pankartë që po mbanin në duar protestuesit.

“Unë s’jam neonazist apo huligan”, thoshte tjetra.

Vaksinimi do të jetë i detyrueshëm nga muaji shkurt për të gjithë qytetarët mbi 14 vjeç, me përjashtim të rasteve që kanë arsye shëndetësore.

Askush nuk do të vaksinohet me forcë, ka thënë qeveria, por ata që refuzojnë vaksinën do të duhet të paguajnë një gjobë fillestare prej 600 euro, e cila më pas mund të rritet në 3600 euro nëse nuk shlyhet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme