Google ADS

Kurti: Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave është obligim institucional dhe etik

17:41 | 11 Dhjetor 2021
V. S.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me miratimin e projektligjit për Kompensimin e viktimave të Krimit do t’u mundësohet qasje e menjëhershme në kompensim.

“Me Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit që miratuam dje në mbledhjen e Qeverisë, viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe viktimave të dhunimit, që kryesisht janë gra dhe vajza, do t’iu mundësohet qasje e menjëhershme në kompensim. Kjo për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës por mbi të gjitha për t’ua njohur e pranuar dhimbjen që padrejtësisht e kanë vuajtur. Për t’u thënë e garantuar që nuk janë vetëm dhe nuk duhet të jenë”, ka shkruar Kurti në facebook.

Sipas tij me përpjekjet për të çrrënjosur dhunën me barazi gjinore po e përmirësojnë kornizën ligjore.

“Në përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën me bazë gjinore, me synimin e përafrimit dhe zbatimit të obligimeve të dala nga Konventa e Stambollit, po e përmirësojmë kornizën ligjore. Derisa ka shumë nene të dobishme e përparimtare në legjislacionin tonë që presin zbatim, duhet të punojmë edhe në përmirësimin e pasurimin e mëtejmë të ligjeve tona. Asnjëherë nuk duhet të jemi të vetëkënaqur kur angazhohemi për barazi”, ka shkruar tutje kryeministri.Dhuna ka shumë forma e ne duhet ta trajtojmë çdo ndërthurje të diskriminimit të përjetuar nga gratë e vajzat. Duhet të aktivizohet çdo segment i shoqërisë por urgjenca bie mbi policinë dhe institucionet e drejtësisë. Mosndëshkimi është vepër tjetër që nuk guxojmë ta tolerojme. Në fund të nëntorit, në hapje të fushatës “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave” kam thënë se përkushtimi ynë institucional për eliminimin e dhunës vazhdon çdo dite. Sot, pas përmbylljes së saj e ritheksojmë: Beteja për ta eliminuar këtë problem madhor është e përditshme, e përhershme dhe qeveria jonë është në ballë të saj. Shteti që kemi ëndërruar, jemi angazhuar e kemi luftuar për të, është shtet i lirë, i drejtë e i barabartë për të gjitha e për të gjithë:, ka përfunduar Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme