KDI: Institucionet të bashkohen në një front në luftën kundër korrupsionit

12:28 | 9 Dhjetor 2021
V. S.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë të ditur se edhe këtë vit e kanë monitoruar procesin e prokurimit publik, me fokus në sektorin e shëndetësisë, për të siguruar që blerjet dhe shërbimet gjatë emergjencës shëndetësore të jenë transparente, në përputhje me ekonominë e tregut të lirë dhe konform nevojave të qytetarëve.

Në njoftimin e KDI-së thuhet se ata kanë vazhduar me ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat e korrupsionit, dëshmitarët dhe sinjalizuesit e veprave korruptive.

Sipas tyre, shumë punëtorë të cilët kishin humbur vendet e punës gjatë pandemisë apo nuk kishin realizuar të drejtën e pagesës nga pakoja emergjente kanë kërkuar ndihmë ligjore.

“Në këtë ditë përshëndesim miratimin e Strategjisë pë sundimin e ligjit 2021 – 2026, pjesë e së cilës është edhe lufta kundër korrupsionit, por përsërisim shqetësimin tonë për mungesën e një Strategjie Kombëtare Kundër-Korrupsion, nga e cila do të dilnin veprime dhe përgjegjësi konkrete për të gjitha institucionet e thirrura për të luftuar korrupsionin”.

“Kërkojmë nga institucionet vendore që, në vend se të drejtojnë gishtin nga njëra-tjetra në kërkim të fajtorit për mungesë të sundimit të ligjit dhe nivelin e lartë të korrupsionit, të bëhen bashkë në një front të vetëm në luftë kundër korrupsionit. Qytetarët i thërrasim të jenë më kërkues për rezultate dhe të mos heshtin ndaj keqpërdorimeve, nepotizmit dhe keqmenaxhimit të resurseve publike”.

“Qeverisë i themi t’i procedojë të gjithë pakon e ligjeve kundër-korrupsion dhe t’a bëjë qytetarin hisedarë të këtyre ligjeve. Kuvendit I kërkojmë të t’a ketë prioritet mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve kundërkorrupsion. Subjekteve Politike u kërkojmë të jenë transparente dhe llogaridhënëse në raport me financimin dhe shpenzimet e tyre. Vetëm duke përqafuar vlerat e qeverisjes së mirë brenda subjektit, do të mund t’a ndërrojmë kulturën qeverisëse”.

“Institucioneve të drejtësisë u kërkojmë që të ngrisin efikasitetin e punës dhe cilësinë e shërbime sepse vetëm duke rezultatet e kthejnë besimin në institucione”, thuhet në njoftim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme