“Turqia e gatshme të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund tensioneve Rusi-Ukrainë”

01:10 | 9 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se vendi i tij është i gatshëm të luajë rolin e ndërmjetësuesit, lehtësuesit ose të japë mbështetje në çdo format të dëshiruar, për t’i dhënë fund tensioneve Rusi-Ukrainë me pëlqimin e të dyja palëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur me gazetarët gjatë kthimit nga Katari, presidenti Erdoğan tha se shpresa e Turqisë është që “tensioni të mos rritet edhe më tej dhe të ruhet stabiliteti i rajonit”.

“Ne jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë më të mirë për të krijuar kanale të dialogut”, theksoi ai, duke shtuar: “Me pëlqimin e të dyja palëve, ne mund të ofrojmë mbështetje në lehtësim, ndërmjetësim ose çdo format tjetër të dëshiruar. Kuptohet, ne do të bëjmë pjesën tonë pa hezitim për paqen në rajon”.

Tensionet që ishin aktuale që nga aneksimi ilegal i Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, u përkeqësuan nga separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin kufitar lindor Donbas si dhe grumbullimin ushtarak rus në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Të premten, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov paralajmëroi se Rusia mund të shkaktojë një përshkallëzim të shkallës së gjerë në janar të vitit të ardhshëm.

Reznikov tha se rreth 94 mijë trupa ruse janë vendosur në kufirin ukrainas dhe se forcat e inteligjencës po punojnë për të gjitha skenarët e mundshëm që mund të lindin.

Pas kësaj, SHBA-ja tha se do të ndërmarrë masa “të fuqishme” ekonomike kundër Rusisë në rast se Moska zyrtare përshkallëzon agresionin ushtarak kundër Ukrainës.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit

Duke theksuar se kryediplomati turk Mevlüt Çavuşoğlu dhe inteligjenca do të luajnë një rol aktiv në marrëdhëniet me Abu Dhabi-n zyrtar, presidenti Erdoğan tha se një proces i ngjashëm mund të mundësohet edhe me Izraelin.

“Kam pasur bisedime me Izraelin në të kaluarën. Por, në këtë pikë, Izraeli duhet të jetë më i ndjeshëm për politikën e tij palestineze në rajon. Duke të jetë më i ndjeshëm rreth Kudsit dhe Xhamisë Al-Aksa”, tha Erdoğan, duke shtuar: “Sapo të shohim qasjen e ndjeshme këtu, ne do të bëjmë më të mirën dhe do të ndërmarrim hapat tanë”.

I pyetur nëse do të ketë ricaktim të ndërsjellë të ambasadorëve, Erdoğan u shpreh: “Të gjitha këto gjëra do të ndodhin. Pala izraelite tashmë i di cilat janë ndjeshmëritë tona. Ne i dimë ndjeshmëritë e Izraelit. Pra, ne e zgjidhim çështjen bazuar në këto ndjeshmëri”.

Në fund të muajit nëntor, Princi i Kurorës i Abu Dhabi-t, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, realizoi vizitën e tij të parë në Turqi që nga viti 2012 dhe dy vendet nënshkruan disa marrëveshje të bashkëpunimit, të cilat Erdoğan i përshkroi si “hapa të përzemërt që do të nisin një epokë të re midis Turqisë dhe Emirateve te Bashkuara Arabe”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme