Google ADS

Strategjia e Pylltarisë 2021-2030 së shpejti pritet të dërgoeht në Qeveri për miratim

21:35 | 8 Dhjetor 2021
Përparim Bublaku

Grupi Punues për Hartimin e Strategjisë së Pylltarisë 2021-2030 ka mbajtur sot takimin e fundit për finalizimin e kësaj strategjie, e cila pritet të dërgohet gjatë këtyre ditëve për miratim në Qeverinë e Kosovës.

Me këtë rast, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci vlerësoi se kjo do ta bëjë të mundur që politikat e duhura për avancimin e sektorit të pylltarisë tash e tutje të bazohen në Strategjinë për Pylltari 2021-2030, e cila njëherit është hartuar bazuar edhe me Strategjinë e Bashkimit Evropian për Pylltari 2021, si dhe është strukturuar sipas kritereve të dakorduara nga Pyjet e Evropës.

Ministri tregoi se përmes kësaj strategjie, e cila është në vazhdën e harmonizimit me politikat dhe prioritetet e agjendës globale në 50-të vitet e fundit, synojnë t’i adresojnë shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballet sektori i pylltarisë në Kosovë.

“Pyjet kanë rëndësi strategjike dhe duhet t’i shqyrtojnë mundësitë e rritjes së vlerës ekonomike, sociale dhe mjedisore duke ngritur kapacitetet e menaxhimit funksional të pyjeve. Rrjedhimisht një menaxhim funksional rritë mundësitë e punësimit, avancon zonat rurale pasi që aplikohet përdorimi shumë-qëllimor i resurseve pyjore. Pylltaria po ashtu duhet parë si sektor, i cili zhvillon dhe fuqizon partneritetin publiko-privat. Dhe përmes Strategjisë së Pylltarisë 2021-2030 do të krijojmë mekanizma të cilat e mbrojnë sektorin nga prerjet ilegale, zjarret e degradimet e tjera të mundshme.”, tha Ministri Peci.

Ministri me këtë rast ka falënderuar Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe SIDA- n, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë t’i kontribuojnë sektorit të pylltarisë në përgjithësi e që i kanë kontribuar me ekspertizën e tyre edhe hartimit të Strategjisë për Pylltari 2021 – 2030 në veçanti.

Ndryshe, me qëllim të koordinimit ndër-institucional për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, Ministri Faton Peci gjatë këtij viti ka themeluar Task-Forcën ndër institucionale, e cila këtë javë do të miratojë rregulloren e saj dhe Planin vjetor të veprimit për parandalimin dhe zvogëlimin e prerjeve ilegale në pyje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme