Google ADS

Testimet për COVID-19 në Shqipëri, java e fundit me nivelin më të ulët vjetor

09:17 | 7 Dhjetor 2021
S D

Derisa shumë vende të botës gjenden në alarm prej frikës së variantit të ri Omicron të COVID-19 dhe janë duke shtuar masat shtrënguese, në Shqipëri në mënyrë të pashpjegueshme testimet kanë ardhur në ulje që prej muajit tetor, duke zbritur javën e fundit në kuotat më të ulëta që që prej gati 13 muajsh.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në 7 ditët e fundit, numri i testimeve ra në një total prej 13,781 njësi ose në një mesatare ditore prej 1,968 testimesh. Krahasuar me javën pararendëse bëhet fjalë për një tkurrje drastike prej 32.4 për qind. Krahasuar me mesataren ditore në shtator, rënie është dyfish më e thellë prej 61.5 përqind.

Është pikërisht ulja e numrit të tamponëve që ka sjellë dhe reduktimin, thuajse në të njëjtën masë edhe të rasteve të reja, të cilat në total gjatë javës së fundit zbritën në 2,152 të prekur ose në një mesatare ditore prej 307 të infektuarish. Në Shqipëri, një mesatare e tillë ditore ka qenë dhe në fillim të gushtit, por kur ndërkohë testimet ishin më shumë se dyfishi, mbi 4,600 në ditë.

E hëna ishte dita me më pak të infektuar, 172 të identifikuar në 27 bashki të vendit: 78 në Tiranë, 16 në Berat, 11 në Vlorë, 10 në Fier, 6 në Durrës, Gjirokastër, 4 në Kamëz dhe Lushnje, 3 në Lezhë, Kurbin, Vorë, Mallakastër, Përmet dhe Kuçovë, 2 në Mirditë, Kavajë, Patos, Selenicë, Sarandë dhe Tepelenë, 1 në Kukës, Has, Krujë, Dibër, Delvinë, Skrapar dhe Gramsh.

Që ulja e totalit të të prekurve në javën e fundit, ka qenë pasojë, thjesht dhe vetëm e rënies së testimeve, vërtetohet dhe nga fakti që pozitiviteti jo vetëm nuk është ulur, por ka pësuar një rritje të lehtë me 0.2 pikë përqindje, duke u ngjitur në 15.6 përqind, një nivel shumë i lartë. Në Itali, aktualisht llogaritet në pak më shumë se 3 përqind, ndërsa në Francë, mbi 6 për qind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Sa i përket fataliteteve, për të 5-në javë radhazi ishin në ulje. Gjatë javës së fundit, ato thuajse u përgjysmuan, duke zbritur në 23 viktima. Të hënën u njoftua për pesë humbje jete: një qytetar 81 vjeç nga Berati, tre qytetarë nga Tirana 85-91 vjeç, dhe një 90 vjeçar nga Lushnja. Ato duket se reflektojnë një përmirësim të situatës dhe në spitale, ku numri i pacientëve ka rënë, e po ashtu dhe i atyre që trajtohen në terapi intensive. Sipas të dhënave të fundit të ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet COVID-19 po marrin trajtim 145 pacientë, nga të cilët 13 janë në gjendje më të rënduar. /VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme