Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Valeria Bolicci, Hysni Gucati ka thënë se po ta njihte personin që i kishte dërguar dokumentet do ta merrte për veshi e ta sillte para gjykatës.
Të hënën, pas marrjes në pyetje nga avokati i tij mbrojtës, Gucati ka vijuar të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk e njoh, nuk kam bisedu me të dhe të jeni të bindur që kurrë në jetën time atë person nuk e kam pa. Në videokamerë e kam pa të maskum, kshtu live nuk e kam pa”, tha ndër të tjera Gucati.
Ai tha se kishin diskutuar çka të bëjnë me dokumentacione dhe kanë vendosur të njoftojnë opinionin e gjerë se u kanë ardh dokumentacione që supozohet që janë të Gjykatës Speciale.
“Askush nuk ju detyroi juve të thirrni konferencë për shtyp dhe të shpërndani dokumentet te mediat”, pyeti Bolicci.
E Gucati tha se vetëm Zoti mund ta detyroj atë të bëj diçka e asnjë njeri tjetër.
Bolicci e ka pyetur se kush është nënkryetari i dytë i OVL-UÇK-së, e Gucati tha se është një shok i tyre që është i sëmurë për momentin, e që ai është Migjen Shala.
Për Shalën tha se e di se ka qenë në kafe afër organizatës kur e kanë arrestuar, e se sa e di në shtator një apo dy herë ka qenë në zyre të organizatës.
Tutje, Gucati ka mohuar se ai e Haradinaj kanë bërë shpërndarje të dokumentacioneve.
“Unë dhe Nasim Haradinaj nuk kemi bërë shpërndarje të dokumentacioneve fare, e kemi lënë në tavolinë ku kanë ardh mediat, ne nuk i kemi thënë asnjë gazetari merre ose le, ne nuk kemi shpërnda dokumentacione të gjykatës askujt”, ka thënë Gucati.
Prokurorja e ka pyetur se a i kanë thënë mediave midis datave 7 dhe 22 shtator se do t’i bënin publike dokumentet që do të vinin në OVL-UÇK, për çka Gucati u përgjigj: “Nuk jam sigurim i dokumentacionit të askujt. Unë thash dhe në këtë temë nuk hi mo. Nuk jam sigurim i dokumentacionit të juve, sa herë të ketë nevojë do të dal para mediave”.
Bolicci sërish e pyeti nëse nuk i kujtohet se ka thënë kështu, e Gucati tha “Unë e maj men kur kam dezertu edhe nga ushtria jugosllave me datë e s’pe maj men para 1 viti çka kam thënë”.
Ai vazhdoi të insistoj se nuk ia ruan dokumentet askujt.
“Kam fol njëherë dhe nuk e di sa herë duhet të ta kthej përgjigjen, nuk i ruaj dokumentet e askujt, kush më bjen unë do ta bëj publike”, tha Gucati.
Prokurorja sërish i tha nëse përgjigja është po ose jo, e Gucati tha se çdo informacion që shkon në zyrën e tij e është në dëm të vendit të tij, ai do ta bëj publike.
Tutje, prokurorja Bolicci e ka pyetur se a e ka inspiruar personin që të dorëzoj më shumë dokumente, për çka Gucati tha: “Nuk ka shancë teorike të inspiroj dikë të më sjell dokumentacion e të vi unë në burg. Logjika nuk e rrok, tregoma këtë logjikë, qysh i thom njerit birëm letra e të shkoj unë në burg të Gjykatës Speciale të Hagës”,
Tutje, tha se as ai e as Nasim Haradinaj nuk e kanë inkurajuar personin që të sjell CD.
“Nuk qëndron fare që unë i kam thënë atij “të lutem, birëm informacione dhe CD”, ka thënë Gucati, e prokurorja e pyeti nëse nuk e ka dëgjuar Nasim Haradinaj duke thënë këtë në konferencë, gjë të cilën Gucati e mohoi. Ai tha se nuk e ka dëgjuar Haradinajn ta thotë këtë, e se lidhur me këtë nuk ka nevojë të gënjej.
Ndër të tjera, ai tha se janë policia e hetuesit që paguhen për të gjetur personin.
“Unë kam bo ftesë publike, ejani të nxojmë personin që po sjell dokumentacionin”, ka thënë Gucati.
Prokurorja e pyeti se a ka thënë se ky person do të ishte gjithmonë i mirëpritur, për çka ai u përgjigj: “Mund të jetë, po unë nuk e besoj. Po mund të jetë, edhe nëse osht kurrgjë s’ka të keqe se kemi dash të del një punë shesh të vërtetohet që jeni duke bashkëpunuar me kriminelë serb”.
Prokurorja më pas e ka pyetur nëse Gucati ka thënë se personi që dërgonte dokumente ishte sikur të dërgonte bakllave, por ai tha: “Nuk e kam thënë një gjë të tillë, që osht lëshoje”.
Më pas, është dëgjuar audio në gjykatore, ku Haradinaj dëgjohej duke thënë “Ai ka premtu që do sjell CD, atë do ta quajmë pjata fluturese”.
“A e dëgjove zërin tim? A kam fol a veç kam qesh, këtë s’mund të ma veshni mu, as Nasimit, nëse unë kam fol, jam duke qeshur”, ka thënë Gucati
“Vetëm Nasim Haradinaj duhet fajësohet me të, ju po qeshni pranë tij, ju nuk bashkoheni me Nasim Haradinaj?”, ka pyetur Bolicci.
“Asni milimetër nuk është fajtor Haradinaj, nëse ka propozu një pseudonim t’ia lë qenka fajtor njeriu?”, u përgjigj Gucati, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kosova me 5 grupmosha në arenën ndërkombëtare në basketboll
Anulohet aktiviteti për përurimin e Parkut të Ulpianës
Sulmi me granatë dore dëmton objektin e Komunës së Zveçanit ...
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2
Kumbaro uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë: ...