Papa Françesku ka mbërritur në Greqi, si ndalesa e dytë e udhëtimit të tij në rajon në një vizitë që synon forcimin e lidhjeve të përmirësuara së fundmi midis Vatikanit dhe kishave ortodokse.
Në aeroportin e Athinës ai është pritur me nderin e një lideri shteti nga ministri i Jashtem grek, Nikos Dhendias.
Ashtu si edhe në vizitën e tij dy ditore në Qipro, edhe në aeroportin e kryeqytetit grek, por edhe në rrugët e Athinës, ai ka përdorur një makinë të thjeshtë dhe jo limuzinat apo makinat e blinduara, fakt që është komentuar bujshëm nga mediet greke për thjeshtësinë e udhëheqësit shpirtëror të katolikëve në mbarë botën.
Ndërsa vizita e tij kryhet nën masa të rrepta sigurie me mbi 4000 policë në gatishmëri, ai takohet në fillim me presidenten greke, Katerina Sakelaropoulou dhe më pas me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.
Gjatë gjithë javës, përgatitje të ethshme u kryen në Katedralen Katolike të Shën Dionisit Areopagitit, apo në sallën e madhe të koncerteve Megaro për meshën e planifikuar të Papa Franceskut pasditen e së shtunës.
Papa Françesku ka përshpejtuar nismat ndërfetare, ndërsa dy kishat përpiqen të kalojnë nga konkurrenca dhe mosbesimin shekullor prej Skizmës së Madhe në fillim të mijëvjeçarit të kaluar (1054) drejt një bashkëpunimi të ri. Si pjesë e këtyre përpjekjeve bashkëpunuese cilësohet edhe takimi me kreun e Kishës Ortodokse të Greqisë, Kryepeshkopin Ieronymos.
Janë pikërisht këto bisedime që fokusohen te një aleancë midis degëve të Perëndimit katolik dhe Lindjes ortodokse të krishterë e për t’u përballur me probleme të mëdha globale, duke përfshirë ndryshimin e klimës.
Përveç të tjerash vizita pesë-ditore e Papës në Qipro dhe Greqi, vende thuajse tërësisht me besimtarë të krishterë ortodoksë, është fokusuar në një pjesë të madhe në gjendjen e emigrantëve, në një moment që politikat europiane për emigracionin janë forcuar, sa i përket edhe kontrollit të kufijve .
Është vizita e tretë e një Pape në Greqi, me një komunitet katolik rreth 50.000 besimtarësh. Në vitin 2001, Papa Gjon Pali II u bë udhëheqësi i parë katolik që vizitoi Greqinë pas gati 1200 vitesh, ndërsa Papa Francesku ka vizituar ishullin e Lesbos në kulmin e krizës migratore në vitin 2016, në një takim historik atëherë në këtë ishull, me Patriarkun Ekumenik Bartolemo dhe kreun e Kishës Ortodokse të Greqisë Ieronomos./TCH/
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...