Kryeministri italian kërkon mbështetjen e BE-së për emigracionin e parregullt

08:52 | 4 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka deklaruar se Evropa duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjes së emigrimit të parregullt, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në forumin e Dialogëve Mesdhetar në Romë, Draghi tha se mbi 63 mijë emigrantë të parregullt mbërritën në Itali këtë vit, gjashtë herë më shumë se në vitin 2019.

Duke theksuar se Italia nuk mund të kontrollojë e vetme flukset e emigrantëve, ai tha se kërkohet më shumë pjesëmarrje nga të gjitha vendet evropiane në këtë çështje.

“Vendi do të vazhdojë të mbështesë përparimin evropian drejt menaxhimit kolektiv të problemeve që vendos një ekuilibër midis përgjegjësisë dhe solidaritetit”, tha ai.

Për krizën libiane, kryeministri italian tha se vendi i tij mbështet procesin e pajtimit dhe tranzicionit në vendin e Afrikës Veriore.

Draghi tha se zgjedhjet e ardhshme në Libi janë të një rëndësie jetike si për libianët ashtu edhe për të ardhmen demokratike të vendit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Luigi Di Maio, tha se stabilizimi i Libisë është prioriteti i tyre, si dhe shtoi se figurat kryesore të Libisë më 24 dhjetor duhet të punojnë për të siguruar zgjedhje të lira, të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Libi do të mbahen sipas kushteve të një marrëveshjeje të sponsorizuar nga OKB-ja e arritur mes rivalëve politik libian vitin e kaluar.

Libianët shpresojnë se zgjedhjet do të ndihmojnë për t’i dhënë fund një konflikti të armatosur të gjatë në vendin e pasur me naftë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme