Google ADS

U gjetën të pajetë në hotelin në Qerret të Kavajës, zbulohet shkaku i vdekjes së 4 turistëve rusë.

23:10 | 1 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Pas më shumë se një muaji, të tjera detaje kanë dalë nga vdekja e 4 turistëve rusë në një hotel në zonën e Qerretit në Kavajë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përcaktuar shkakun fillestar të vdekjes së 4 anëtarëve të një familje nga Rusia.

Në emisionin “Nën shënjestër” mbrëmjen e sotme është publikuar ekspertiza mjeko-ligjore ku sipas të cilës, në trupat e viktimave është konstatuar prania e monoksidit të karbonit në masën 75 përqind.

Ekspertiza ka rrëzuar dyshimet e ngritura më herët, se vdekja mund të kishte ardhur nga përdorimi i tepruar i klorit. Një kompani e certifikuar ndërkombëtarisht e ka rrëzuar këtë pistë, ndonëse institucionet u përplasën mes tyre për kryerjen e këtyre ekspertizave me argumentin se kampionët e ujit dhe të klorit për t’u ekzaminuar nuk ishin marrë në formën e duhur ligjore. Ndërkohë që nga ekspertiza e kryer ka rezultuar se rusët nuk kanë patur ndonjë reaksion apo helmim nga ushqimi që mund t’u shkaktonte atyre vdekjen.

Por edhe pse Mjekësia Ligjore ka përcaktuar shkakun e vdekjes së katër rusëve, duket se Prokuroria nuk është e bindur për shkakun e vërtetë të humbjes së jetës së tyre. Për këtë arsye organi hetues ka thirrur në ndihmë Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe më konkretisht Shërbimin Sekret të Ushtrisë, me qëllim për të kryer një eksperiment hetimor në të njëjtat kushte që ka ndodhur ngjarja. Ku përmes këtij eksperimenti do të duhet të provohet nëse dioksidi i karbonit, është shkaktuar në ajër si pasojë e keqfunksionimit të kaldajës në hotel dhe mungesës së sistemit si duhet të ventilimit, apo për arsye të tjera.

Është ky eksperiment që do të mund të përcaktojë përfundimisht shkakun e vërtetë të vdekjes së 4 turistëve rusëve. Si edhe për t’i dhënë fund misterit që mbulon ende humbjen e jetës së tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme